Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar strategjinë kundër korrupsionit 2021-2023.
Por, kritik ndaj këtij vendimi të Qeverisë është treguar Vigan Qorrolli, analist politik. Ai në një postim në Facebook, e ka quajtur qesharak miratimin e kësaj strategjie, duke thënë se Qeveria po e lufton korrupsionin me letër, përcjell Bota sot.
Ai ka pyetur se sa para janë shpenzuar në tryeza për korrupsionin dhe krimin nëpër “hotelet e Prishtinës”.
Reagimi i plotë i Qorrollit:
Pas manualit anti-covid, qeveria e Kosovës, sërish me një dokument të ri gjeostrategjik: strategji kundër korrupsionit 2021-2023.
Nuk ka asgjë më qesharake se sa të përpilohen strategji të tilla e të harxhohen para për ta luftuar atë nëpër hotelet luksoze të Prishtinës. Jam kureshtar të di sa para janë dhënë për “tryezat e rrumbullakta” që do e luftojnë (sic!) korrupsionin dhe krimin.
Secila qeveri deri më tash është sjellë sikur mos te ekzistonte Kodi Penal, apo Prokuroritë dhe Gjykatat, të cilat me Kushtetutë dhe ligj e ndjekin dhe luftojnë atë.
Kosova — i vetmi rast në botë ku qeveria e “lufton” me letër A4 korrupsionin!