Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se nga sot ka filluar periudha e përsëritjes së votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit.
Të gjithë votuesit e regjistruar nga jashtë Kosovës për Zgjedhjet në Komunën e Dragashit gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021 e kanë mundësinë që të votojnë edhe një herë për të parin e kësaj komune.
KQZ në një komunikatë për media bënë të ditur se fletëvotimet duhet të pranohen më së largu deri më 13 dhjetor 2021.
“Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”, thuhet në komunikatë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjithë votuesit e regjistruar nga kjo komunë si votues jashtë Kosovës i ka njoftuar personalisht përmes e-mailit për periudhën e votimit dhe për detajet tjera.
Kujtojmë se të enjten Gjykata Supreme ka marrë vendim që të përsëritet votimi me postë në Komunën e Dragashit. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mirëpritur këtë vendim duke thënë se “Diaspora do të rikonfirmojë vullnetin e tyre për kryetarin Shaban Shabani”.
Ndërsa fletëvotimi, procedura dhe çështjet që duhet t’i kenë parasysh votuesit janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së, në pjesën Shërbimet e KQZ-së – Votimit përmes postës, apo në linkun direkt: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/