​Kurti priti në takim një delegacion nga Federata e Paqes Universale

Aktuale

​Kurti priti në takim një delegacion nga Federata e Paqes Universale

Më: 4 prill 2022 Në ora: 19:29
Foto ilustrim

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim një delegacion nga Federata e Paqes Universale, të cilin e ka informuar mbi punën e qeverisë dhe të arriturat e deritanishme.

Kurti tha se Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik vitin e kaluar.

“Në vitin e parë në detyrë, kemi arritur rritje ekonomike prej 10.53%, me një rritje prej 83.6% të eksporteve, një rritje prej 21% të Investimeve të Huaja Direkte, një rritje prej 30% të të hyrave buxhetore, 31% rritje të taksave të arkëtuara dhe 34% rritje të të ardhurave nga tatimet, pa ndryshuar politikën fiskale”, tha ai.

Duke treguar për punën rreth avancimit të politikave sociale, Kurti përmendi rritjen e pensioneve 11 për qind, rritjen 33 për qind të asistencës për personat me aftësi të kufizuara, ndarjen e fondeve në mbështetje për nënat e reja dhe foshnjat e të tjera.

Në takim u bisedua edhe për Samitin Botëror 2022 që temë kryesore kishte paqen në Gadishullin Korean, si dhe për mundësitë e organizimit në Kosovë të një konference ndërkombëtare për paqe.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e promovimit të paqes dhe sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor pas agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë, që ka shtuar rrezikun nga ndikimi i Rusisë dhe synimi i saj për destabilizim të rajonit.

Ndryshe, delegacioni i Federatës Paqja Universale në këtë takim përbëhej nga Jacques Marion, president i Federatës së Paqes Universale për Evropë dhe Lindje të Mesme, Jack Korley, udhëheqës rajonal për Evropë Lindore, Binak Ulaj, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të UPF-Kosovë, Ejona Icka, sekretare e përgjithshme e UPF-Kosovë dhe Gani Rroshi, sekretar i përgjithshëm i UPF-Shqipëri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat