Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani ka kërkuar shtyrjen e seancës së kuvendit komunal për shkarkimin e saj, pasi që do të udhëtojë nesër në Prishtinë për takim me kryeministrin Albin Kurti.
Kryetari i Kuvendit të Preshevës, Sami Salihu, në bazë të kërkesës së këshilltarëve të opozitës, ka ftuar për ditën e hënë një seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e kryetares së Preshevës.
Në një postim në Facebook, Sinani thotë se ajo e ka të pamundur të jetë prezente dhe se për këtë ka informuar edhe kryetarin e Kuvendit të Preshevës, Sami Salihu.
“Duke qenë se si përfaqësues politikë nga Lugina e Preshevës jemi të ftuar nesër në takim në Prishtinë, në ora 8.00, nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ku kam konfirmuar pjesëmarrjen time, njoftoj opinionin publik se së bashku me Munir Rexhepi, shef i Grupit të Këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik në Kuvendin Komunal të Preshevës, kemi kërkuar sot nga kryetari i Kuvendit Komunal Sami Salihu, që ta shtyjë seancën për një kohë më të përshtatshme, meqë është e pamundur të jem e pranishme fizikisht në ora 10.00 në Preshevë. Besoj në mirëkuptimin e kryetarit të Kuvendit, Sami Salihu, por edhe në përkrahjen e Këshilltarëve të tjerë Komunalë, për ta mundësuar praninë time në seancën ku është iniciuar shqyrtim-propozimi për shkarkimin tim”, ka shkruar ajo.