​Kurti takoi komisionaren e KiE për të Drejtat e Njeriut, Mijatoviq

Aktuale

​Kurti takoi komisionaren e KiE për të Drejtat e Njeriut, Mijatoviq

Më: 30 maj 2022 Në ora: 20:21
Foto nga takimi

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim komisionaren e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, me të cilën ka biseduar mbi të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.

Kurti theksoi reformat e nisura në drejtësi, sundimin e rendit dhe ligjit si dhe luftën kundër krimit e korrupsionit. 

Duke veçuar indikatorët pozitivë ekonomikë, ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për të kthyer rritjen ekonomike në rritje të mirëqenies për qytetarët, nëpërmjet politikave sociale që në fokus e kanë qytetarin dhe barazinë shoqërore.

Duke biseduar për vendimet e Qeverisë për rritjen e barazisë sociale në Kosovë, Kurti përmendi rritjen e shumës së asistencës sociale, rritjen e pensioneve, programin për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë, si dhe studimet falas.

Ai përmendi angazhimin për avancimin e barazisë gjinore, për mbylljen e hendekut gjinor në profesione, dhe mbështetjen në avancimin e vajzave në shkencë, me ndarjen e 1365 bursave, për vajzat që studiojnë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës – STEM.

Gjatë takimit u fol për bashkëpunimin rajonal, ndikimin e luftës së Ukrainës si dhe u theksua nevoja për vëmendje shtesë të BE-së për rajonin e Ballkanit.

Komisionarja Mijatoviq shprehu vlerësimin e saj për programin e qeverisë për pranimin e 20 gazetarëve nga Ukraina për të cilën tha se është një iniciativë e çmueshme që duhet shumëfishuar në vendet e tjera të Evropës.

Në takim u bisedua edhe për drejtësinë tranzicionale, mbi nismat e Qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, gjykimin e këtyre krimeve, zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës dhe luftimin e stigmës ndaj dhunës seksuale gjatë luftës që ishte përdorur si armë lufte në Kosovë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat