Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Dy krerët shtetërorë pritet të nënshkruajnë planin franko-gjerman, i cili parasheh normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Avni Arifi, ish shef i negociatave me Serbinë, megjithatë thotë se është e vështirë të parashikohen veprimet në këtë proces, ani se potencon faktin se që nga shpallja e Pavarësisë dhe veprimeve asokohe të “grupit të kontaktit” nuk ka parë më shumë energji dhe fokus të SHBA dhe BE në arritjen e një marrëveshjeje.
Ky beson se ndërkombëtarët po bëjnë punë të madhe për një aneks të barabartë.
“Sa i përket planit të veprimit besoj se është duke u bërë punë e madhe për një plan të balancuar që do të ju prezantohet palëve dhe kjo kohë është shumë më e rëndësishme për palët se sa koha pas prezantimit të planit. Është krijuar përshtypja se BE dhe SHBA kanë kaluar nga faza e diskutimeve të pafund në propozime “merre ose leje”, tha ai.
Problematik, Arifi, po e sheh faktin se Serbia ka rezerva të mëdha tek pika 4 pra anëtarsimi i mundshëm i Kosovës në OKB, por edhe disa pika të tjera.
“Kosova e ka pranuar planin dhe publikisht është shprehur pro nënshkrimit të planit andaj askush nuk pret që Kosova do të ndërrojë mendje”.
Arifi ka përmendur tutje edhe përfitimet e Kosovës nga pranimi i planit franko-gjerman, të cilat sipas tij nuk janë të kornizuara në përfitime direkte.
“1.Në krijim të hapsirës për dalje nga ‘qorrsokaku’ i njohjeve dhe anëtarsimit në mekanizma ndërkombëtare./2. Një opcion i mundshëm por jo i garantuar për anëtarsim në NATO. 3.Rritje të sigurisë së mbrendshme, stabilizim dhe rritje të mundësive ekonomike”, u shpreh ai.
Sa i përket Asociacionit, Arifi vlerëson se dihej që Kosova do të implementojë heret a vonë dhe se mosthemelimi i tij ka pasojë jo vetëm për Kurtin por edhe për Kosovën.
“Kosova duhet të përfitojë nga momentumi që ekziston në Washington dhe Bruksel për Asosiacion pa kompetenca ekzekutive. Në kulturën e politikës perendimore, Kryeministri ka pranuar implementimin e Asociacionit atë ditë kur pranoj marrëveshjen dhe shprehu gatishmëri për nënshkrim”, deklaroi Arifi.