​Droga në Pejë, zbardhe detaje të reja: Një i arrestuar dhe 6 të tjerë në kërkim

Aktuale

​Droga në Pejë, zbardhe detaje të reja: Një i arrestuar dhe 6 të tjerë në kërkim

Më: 27 shtator 2024 Në ora: 18:11
Astrit Jasiqi dhe Ersan Qavolli

Antidroga e Policisë së Kosovës sot në dy lokacione Sferkë dhe Kliçinë të Pejës ka sekuestruar mbi 1 ton drogë kanabis në vlerë rreth 5 milionë euro, në aksionin më të madh të antidrogës paslufte në Kosovë.

Në një konferencë për media nga vendi i ngjarjes, togeri i policisë Astrit Jasiqi ka dhënë detaje tjera rreth aksionit të ndërmarrë pas dy muaj hetimesh.

Jasiqi: Kapja e drogës bëhet pas hetimeve dymujore, kemi një të arrestuar

“Këto dy lokacione ku ne kemi bërë hetime janë në përmasa të mëdha të kultivimit të bimës së kanabisit, si përfundimtar është produkti marihuanë...Ne jemi ende në fazën e përpunimit të hetimeve dhe vendit të ngjarjes dhe vlerësimet tona mund të dalin për sasinë dhe vlerën edhe më të mëdha për shkak se njëra nga plantacionet ka qenë e rritur në nivelin që konsiderojmë se një bimë e kanabisit mund të jetë produkt final i marihuanës prej gjysmë kilogrami. Ka qenë një hetim i gjatë, më shumë se dy muaj hetimesh... Ne deri më tash kemi një person të arrestuar, është shtetas i Shqipërisë, i cili ka qenë në cilësinë e punës këtu mu është bërë kultivimi i bimës së kanabisit”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se janë edhe disa persona të tjerë të dyshuar për të cilët nuk ka dhënë detaje për shkak të hetimeve në vazhdim, teksa destinimi i kësaj sasie droge të konfiskuar ka qenë tregu ndërkombëtar.

Zëvendësprokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë Ersan Qavolli ka treguar se sasia e drogës së kapur në tregun ndërkombëtar është rreth pesë milionë euro, teksa në kërkim policia është vënë edhe për gjashtë persona të tjerë.

Qavolli: Jemi në kërkim edhe të 6 personave

“Vlera e tyre (drogës) është rreth pesë milionë euro. Ky plan është zbatuar si rezultat i koordinimit të mirë dhe punës së mirë të Drejtorisë për Hetimin e narkotikëve në Pejë... Ne kemi persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë në arrati dhe shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, por besoj se shumë shpejt do t’i arrestojmë edhe ata... Për detaje lidhur me persona të tjerë të dyshuar nuk mund të flas tash, pasi është fazë shumë e hershme e hetimit...Për momentin ne kemi në kërkim më shumë se gjashtë persona”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat