S’kanë vija të kuqe, por s’preferojnë koalicion me VV-në: Pse PDK-ja parapëlqen koalicion qeverisës me LDK-në?

Aktuale

S’kanë vija të kuqe, por s’preferojnë koalicion me VV-në: Pse PDK-ja parapëlqen koalicion qeverisës me LDK-në?

Më: 29 shtator 2024 Në ora: 09:29
Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku

Partia Demokratike e Kosovës është ndoshta partia e vetme në vend që nuk ka pasur vija te kuqe për partitë shqiptare. Duket se vija të tilla nuk do të ketë as pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Megjithatë, zyrtarët e partisë më të madhe opozitare kanë shprehur preferencat e tyre se me cilën parti do të dëshironin të qeverisnin vendin në mandatin e ardhëm.

Ndonëse pas takimit të Memli Krasniqit dhe Albin Kurtit, në maj të këtij viti, ishin shtuar zërat për një ujdi në mes të këtyre dy partive, udhëheqësit e PDK-së kanë thënë se nuk preferojnë një koalicion me partinë e Albin Kurtit.

Një gjet ë tillë e ka thënë edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

Në një intervistë në emisionin “Debat Plus”, Hamza ka thënë se parapëlqen një koalicion me LDK-në.

“Në vitin 2019 ka qenë në modë me vendos vija të kuqe, ka qenë diku e vendosur në tabelë në studio televizive, unë kam qenë në debat dhe më është kërkuar që të vendos vijat e kuqe. Jam i sigurt që nuk kam vendosur. Për shkak se të gjitha partitë janë të Kosovës, partitë i votojnë qytetarët, unë nuk jam prej atyre që them se vetëm ata që e votojnë PDK-në janë të mirë, unë them se ka të mirë në të gjitha partitë”, ka thënë Hamza.

Ai ka treguar arsyet se pse preferon një koalicion me LDK-në pas zgjedhjeve.

Për mua koalicion i preferuar për shkak të programit dhe koncepteve politike janë partitë në opozitë, do të thotë me LDK-në. Për shkak të dallimeve konceptuale, programore, të kaluarës, nuk është koalicion i preferuar, por vijat e kuqe janë treguar të paqëndrueshme dhe një diçka që nuk e kam bërë në të kaluarën dhe nuk e bëj as sot kur e kam parë që kanë dështuar. Nëse i kemi numrat me partitë opozitare, nuk bëjmë qeveri pa VV-në. Kjo qëndron”, është shprehur Hamza.

Edhe Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ka thënë se nuk preferon një koalicion paszgjedhor me VV-në.

Në emisionin “DPT te Fidani”, ai ka thënë se synim i PDK-së është largimi i VV-së nga pushtetit.

"Nëse unë them se zgjedhjet e ardhshme janë referendum, dhe referendumin e mendoj që ta largojmë Vetëvendosjen nga qeveria, jo pse ia kemi inati kësaj partie por edhe Kurtit, por për dëmet që i ka bërë, mendoj që kjo e bën të qartë se ne dhe Vetëvendosje jemi në dy dimensione që asnjëherë nuk takohemi”, ka thënë ai.

I pyetur për një bashkëpunim me VV-në, Hoxhaj ka thënë se nuk sheh ura bashkëpunimi mes PDK-së dhe VV-së.

“Nuk e them këtë që të bëjë lajm, nuk e them kundër Kurtit apo Vetëvendosjes, por nëse ne duam që ta rikthejmë vendin në binarë, dhe nëse vendi mendon se zgjedhjet e 9 shkurtit janë zgjedhje për një riorientim atlantik të vendit, unë nuk shoh ura të bashkëpunimit mes PDK-së dhe VV-së për shkak të politikave që i kemi, orientimeve dhe qasjes. Jo për shkak të së kaluarës, jo për shkak të ndonjë dallimi tjetër, por për shkak se jemi dy binarë që s’takohen asnjëherë”, është shprehur Hoxhaj.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri me tani kanë pasur dy herë koalicion qeverisës. Koalicionin e parë e kishin lidhur në janar të vitit 2008, me kryeministër Hashim Thaci. Në këtë mandat ishte shpallur edhe pavarësia e Kosovës. Kurse, koalicioni i dytë qeverisës ishte lidhur në nëntor të vitit 2014, ku edhe pse PDK-ja kishte dalë fituese e zgjedhje kishte pranuar që postin e kryeministrit të ia jep kryetarit të atëhershëm të LDK-së, Isa Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat