Njohësit e politikës: Gjuha mes Osmanit e Kurtit pritet të ashpërsohet

Aktuale

Njohësit e politikës: Gjuha mes Osmanit e Kurtit pritet të ashpërsohet

Më: 22 nëntor 2024 Në ora: 20:07
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Pas fjalimit të djeshëm të presidentes Osmani në Kuvend, njohësit e politikës thonë se raportet mes Osmanit e Kurtit janë prishur. Madje sipas tyre gjuha pritet të ashpërsohet në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Të dy i bashkuan forcat dhe dolën në fushatën zgjedhore të vitit 2021, duke iu premtuar kosovarëve shpresë dhe ndryshim.

Por katër vjet pas, raportet e tyre kanë ndryshuar.

Në fjalimin e saj vjetor presidentja Osmani, numëroi kritika në drejtim të Qeverisë për bashkëpunim të cenuar me aleatët perëndimorë, sulme ndaj Gjykatës Kushtetuese, por edhe disa zhvillime të tjera në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Për njohësit e rrethanave politike në vend, presidentja Osmani po ripozicionohet në skenën politike. "Mendoj që janë momente drastike, për shkak të zhvillimeve në përgjithësi, ajo do që të rirreshtohet, të shkëputet, krahas SHBA-së, dhe BE-së, rikthehet në gjenezën e saj, edhe pse gjatë rrugës sa për të marrë atë post ishin krah për krah, por dëmi është kolosal", tha për televizionin publik, Aida Dërguti, ish-deputete.

“Kjo çfarë ka ndodhur dje, nuk është asgjë tjetër, veç përpjekje për tu rivendosur si një faktor i rëndësishëm politik në skenën politike të Kosovës. Kjo nuk nënkupton që në disa nga adresimet esaj nuk kanë qenë të sakta, por ngjarjet që ajo i adreson kanë ndodhur shumë më përpara dhe është mjaftueshëm indikative që lidhet ekskluzivisht me fushatën politike, që është duke ndodhur në vendin tonë”, tha  Dorajet Imeri, profesori i shkencave politike.

Fjalimi i djeshëm, sipas Aida Dërgutit, do të ketë kosto elektorale. "Në prag të zgjedhjeve do të ketë kosto elektorale, dhe këtë zoti Kurti nuk ia falë zonjës Osmani, dhe do të përpiqet t’i rreshtojë gjithë ata që votuan me 14 shkurt që t’i mbajë të rreshtuar në zgjedhjet e radhës”, tha Dërguti.

Njohësit e politikës thonë se gjuha mes Osmanit e Kurtit pritet të ashpërsohet në prag të zgjedhjeve parlamentar të shkurtit të vitit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat