Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Obiliqi.
Ai ka thënë se Obiliqin nga një qytezë që ishte larg kujdesit shtetëror, e shndërruan në qendër të rëndësishme zhvillimi me infrastrukturë moderne dhe shërbime cilësore për qytetarët.
Haradinaj shtoi se ligji i posaçëm që miratuan për Obiliqin nuk ishte thjesht një dokument, por ishte zotimi për një trajtim meritor për banorët e këtij qyteti.
“Sot, përballemi me sfida të mëdha. Çmimet rriten, rrogat mbeten të ulëta, dhe shumë prej jush pyesin për të ardhmen. Por programi ynë ofron zgjidhje konkrete: paga minimale 500 euro, paga mesatare 1000 euro, pensione të barabarta me pagën minimale. Do të ndalim ikjen e të rinjve duke krijuar mundësi reale punësimi. Anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional do të hapë horizonte të reja zhvillimi për vendin tonë”, është shprehur Haradinaj.
I pari i AAK-së tutje shtoi se Obiliqi është transformuar në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.