Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti rreth përgatitjes për sulm nga Serbia.
Ibishi në emisionin “Info Nata” tha se Kurti duhet të tregohet i matur, por që sipas tij, Serbia gjithmonë është një rrezik për Kosovën dhe Ballkanin.
“Serbia është një kërcënim permanent për Kosovën, por në vazhdimësi ajo çfarë rrjedh nga deklaratat e lidershipit serb ka të bëjë edhe me shtetet përreth. Vuçiqi vazhdon ta luajë rolin e Putin në Ballkan me sistemin e luftës hibride.
Vuçiqi luan në dy drejtime, jo vetëm me armatosje andej se çfarë ka bërë por edhe një sistem të rekrutimit të paramilitarëve për mundësi të involvimit apo futjes me qëllim të luftës hibride. Duhet të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim që ta parandalojmë një mundësi të tillë. Ai përherë mundohet të fus trupa të paramilitarëve dhe mundohet gjithandej të përfitojë nga ata edhe pse nuk mund të llogarit në ato aftësi”,tha Ibishi.