Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe politikën e Beogradit ndaj vendeve të rajonit. Në një intervistë për mediat zvicerane, Kurti ka pohuar se elita politike serbe nuk ka hequr dorë nga aspiratat për të krijuar një "Serbi të madhe", një projekt që aktualisht po paraqitet me termin "Bota serbe".
Sipas Kurtit, ky koncept synon bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet, çka do të përfshinte shpërbërjen e vendeve si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Ai vuri theksin se Vuçiqi po përdor një strategji të durimit dhe mashtrimit ndaj Perëndimit, duke u fokusuar ndërkohë tek zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi ushtarak të Serbisë. Ky plan, sipas Kurtit, synon të krijojë kushte për rivendosjen e kontrollit mbi territoret e humbura në të kaluarën.
Kurti bëri thirrje që institucionet dhe qytetarët e Kosovës të jenë të përgatitur për skenarë të tillë, duke nënvizuar rëndësinë e vigjilencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.
Duke komentuar këto deklarime, gazetari i medias gjermane Deutche Welle, Bahri Cani, ka thënë se Kurti mendon se Vuçiqi po tregon durim, me shpresë se do të shpërblehet një ditë, përcjell Bota sot.
Reagimi i plotë i Canit, në Facebook:
“Kurti: Vuçiqi po e mashtron Perëndimin, ai nuk ka hequr dorë nga Serbia e Madhe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se elita në Beograd nuk ka hequr dorë nga projekti i Serbisë së Madhe dhe se Vuçiqi thjesht po e mashtron Perëndimin.
Vuçiq thjesht po e mashtron Perëndimin. Elita në Serbi nuk ka hequr dorë kurrë nga projekti i Serbisë së Madhe. Tani quhet ndryshe, ‘Bota Serbe’, por kjo do të thotë bashkim i të gjithë serbëve në një vend, që do të nënkuptonte shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës”, deklaroi Kurti për mediat e Zvicrës. Ai përmendi edhe deklaratat e shumta të Vuçiqit për vende e rajone, ku vende të ndryshme kanë treguar durim, janë përqendruar tek zhvillimi ekonomik dhe armatimi e forcimi i ushtrisë, deri në krijimin e kushteve për ripushtimin e territoreve. Me një fjalë, Kurti mendon se Vuçiqi po tregon durim, me shpresë se do të shpërblehet një ditë. "Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”, citohet të ketë thënë Kurti.