Partia në pushtet Vetëvendosje ka thënë se gjithçka që është arritur deri me tani për shtrirjen e sovranitetit në vend është bërë në bashkëpunim me presidenten Vjosa Osmani. Përfaqësuesit e sa thonë se me aleatët e Kosovës nuk ka përçarje, por ka disa dallime për çështje të brendshme. Këto deklarata vijnë një ditë pasi presidentja Osmani gjatë fjalimit të saj në Kuvend tha se luajtja bixhoz me aleancat e cenon sigurinë e Kosovës. Por, analistët thonë se as Kurti dhe as Osmani nuk mund të luajnë bixhoz me vendin sepse Kosova nuk është pronë e tyre.
Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj në mesin e shumë kritikave ndaj Qeverisë tha se luajtja bixhoz me aleancat e cenon sigurinë e Kosovë, por deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, thotë se gjithçka çka kanë bërë deri me tash në shtrirjen e sovranitetin të Kosovës ka qenë në bashkëpunim me presidenten.
“Gjithçka që kemi bërë gjatë këtyre tre vite e gjysme për ta forcuar shtetin e Kosovës dhe për ta shtrirë sovranitetin e Kosovës në veri të Kosovës, për të garantuar respektim të kushtetutës në tërë territorin e Kosovës, për të eliminuar çfarëdo eliminimi të Serbisë përmes strukturave paralele, përmes kontrabandës, kërcënimeve të drejtpërdrejta që i janë bërë shtetit të Kosovës e kemi bërë bashkë me presidenten dhe unë e çmoj kontributin e saj të jashtëzakonshëm në këtë betejë të rëndësishme për të konsoliduar shtetin e Kosovës. Për të garantuar sovranitet në gjithë territorin e vendit dhe për ta mbajtur Serbinë larg territorit të Kosovës”, tha Rrustemi për RTV21.
Deputeti i VV-së, Rrustemi, tha se Kosova nuk ka asnjë dallim substancial për nga orientimi strategjik me aleatët. Por, sipas tij, mund të ketë dallime.
“Pjesa tjetër sa i përket raporteve me aleatët e Kosovës është raport i palëkundur çoftë për nga orientimi jonë strategjik, çoftë për nga përvetësimi i sistemit të vlerave që ka Kosova. Kosova është një shtet demokratik, liberal respekton lirinë dhe të drejtat e njeriut. Demokracinë e ka element thelbësor të sjelljes sonë politike dhe institucionale. Këto raporte pa dyshim cofshin në aspektin bilateral, çofshin në atë multilateral duhet të konsolidohet dhe të forcohen dhe këtë gjë e kemi bërë. Natyrisht mund të kemi në momentet e caktuara dallime në sferën e brendshme apo me partnerët tonë ndërkombëtar për kohën e vrapimit në drejtim të forcimit të shtetit të Kosovës, por nuk ka asnjë dallim substancial për nga orientimi strategjik. Kosova është aleat i padiskutueshëm i SHBA-ve, cdo interes i SHBA-së është edhe interes i shtetit tonë. Pra, kur flasim për çështje të brendshme të Kosovës, karakterin unitar të Republikës së Kosovës ose për të penguar procese të dëmshme që vijnë si kërcënime nga Serbia mund të kemi dallime në kuptimin kohorë të veprimit, por në asnjë mënyrë nuk kemi asnjë dallim”, tha ai për rtv21.
Fjalimi i Presidentes Osmani u bojkotua nga dy partitë parlamentare opozitare, ajo Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë. Që të dyja vlerësuan se presidentja duhet të kërkojë falje për mbështetjen e deritashme të politikave të Kurtit.
Analisti politik, Lutfi Bilalli, ndërkaq, vlerëson se deklaratat kritike të presidentes Osmani ndaj Qeverisë në thelbin e tyre kanë vend për shumë sqarime, sidomos përmendja se me aleatët po luhet bixhoz.
“Kjo deklaratë, luajtja bixhoz me aleatët do të thotë diçka më tepër sesa një thënie që mund ti kushtoj një fushate. Duhet të kuptojnë edhe presidentja edhe kryeministri se me Kosovën nuk luhet bixhoz. Ata i kanë kaluar disa kufij. Presidentja duhet të jap sqarime”, tha Bilalli.
Qeveria ende nuk është deklaruar pas kritikave të presidentes Osmani.