Analisti politik Xhevdet Pozhari, ka lavdëruar punën e kryeministrit Albin Kurti përballë kritikave dhe presioneve, duke argumentuar se veprimet dhe politikat e tij janë në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Sipas tij, Kurti megjithatë, të gjitha presionet, sulmet dhe ofendimet po i pret me qetësi, me synimin që ta shporrë përgjithmonë Serbinë dhe ata që bënin pazare në dëm të Kosovës, përcjell Bota sot.
“Po i thonë se na acaroi me ndërkombëtarët, veç pse e shtriu ligjin në veri.
Po i thonë se nuk duhej vepruar krye në vete, veç pse largoi strukturat kriminale dhe filloi t'i kthejë shqiptarët e dëbuar në shtëpitë e rinovuara.
Po i thonë se nuk diti ta menaxhojë buxhetin, njeriut që e rriti në 3.5 miliardë buxhetin vjetor.
Po i thonë pse "ndave lëmosha", njeriut që buxhetin ia ktheu qytetarëve përmes shtesave dhe ndihmës për t'u përballë me pandeminë dhe inflacionin.
Po ironizojnë me ndërtimin e një ure, ata që shtronin ura edhe në vendet ku nuk kishte lumenj.
Po thonë nuk bëri asgjë, e ai çdo ditë po prezanton objekte të reja shkollore, shëndetësore, kulturore... etj.
Po i thonë se u rritën çmimet, ata që e bllokuan në çdo mënyrë projektligjin për çmimet tavan.
Po mundohen t'ia vënë thikën pas shpinës, ata që i shpëtoi kur i përzunë nga partitë e tyre.
Po mundohen ta shpallin qeverisjen e tij të korruptuar, opozitarë që e kanë dhjamosur pasurinë e tyre (sipas deklarimit të pasurisë).
Po mundohen ta quajnë të dështuar, veç pse nuk pranoi kompromise të dhimbshme në kurriz të shtetit që e drejton.
Po mundohen t'i quajnë si ndërhyrje në drejtësi reformat rrënjësore që kanë për synim ç'kapjen e gjyqësorit nga kthetrat e grupeve të interesit.
Krejt këto presione, sulme, ofendime, pabesi, po i pret në qetësi, si njeriu që e ka të qartë cakun drejt të cilit është nisur: Ta shporrë një herë e përgjithmonë Serbinë dhe shpurën që bënte pazare me të në kurriz të Kosovës.
Siç e ka të qartë se krejt kjo zhurmë vjen si klithmë e atyre që janë uritur për pushtet. E, jo zë e vullnet i popullit”, ka shkruar Pozhari në një postim në Facebook.