Në 24-vjetorin e vrasjes së patriotit Xhemail Mustafa është shpalosur pllaka dhe portreti përkujtimor i tij, në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kështu bëri të ditur kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
“Së bashku me zonjën Bahrije, vajzën Berianën e djalin Besianin, së bashku me vëllaun Ganiun, Gemin e vogël, së bashku me Erolidën e Kushtrimin, kujtuam Xhemën si atdhetar, si veprimtar, si shkrimtar e si krijues – mbi të gjitha si bartës i lëvizjes rugoviste për liri, pavarësi e demokraci. Trashëgimia e tij politike do të ekojë në brezni!
Xhema i vjetër u mor nga familja herët e padrejtësisht në hyrje të banesës së tij; Xhema i ri, na shfaqet secilën ditë tek Besiani sot – një mik, një profesionist e një patriot i kohës sonë!
Portreti i Xhemail Mustafës i vendosur afër shokut të tij Enver Malokut, na qëndron si kujtesë e fortë e themeleve të forta të Republikës, mbi të cilat themele deryrohemi ta bëjmë të ardhmen që pret për ne!”, shkruan Abdixhiku.