Lista për Familjen, që u zyrtarizua muaj më parë, tashmë është përçarë. Behgjet Pacolli, Eman Rrahmani, Visar Korenica e Ferid Agani duket se do t’i ndajnë rrugët politike, duke garuar në lista të ndryshme në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025. Çka po ndodh me Listën për Familjen?
Familja politike, e cila për sllogan e doktrinë kishte mbrojtjen e familjes, duket se nuk është familjarizuar sa duhet. Gazeta Nacionale ka arritur të kuptojë se në mes aktorëve më të rëndësishëm të Listës për Familje nuk ka më ndonjë komunikim. Sipas këtyre burimeve, Pacolli, kryetar i AKR-së, është afër të bëjë një lëvizje të re politike. Nga Lista për Familje, Pacolli duket se do të kalojë në Partinë Demokratike të Kosovës.
Më saktë, siç kuptoi Nacionale, Pacolli ka arritur marrëveshjen për garimin në listën e PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit. Madje, këto burime theksojnë se Pacolli do ta zyrtarizojë së shpejti një lëvizje të tillë, duke u përfshirë në listën e PDK-së në garën për deputet.
Në fakt, gjatë një prononcimi për RTV Dukagjini, Pacolli kishte treguar se ekzistojnë probleme në Listën për Familjen. Tutje, Pacolli ishte deklaruar i habitur me sjelljen e anëtarëve të tjerë të koalicionit parazgjedhor.
“Ende jo, por të jem i sinqertë, kemi disa probleme. Unë nga ana ime, në fillim kam organizuar dy takime, me iniciativën time, me anëtarët e koalicionit, dhe pas atyre takimeve nuk kam marrë asnjë feedback, asnjë telefonatë apo konsultë lidhur me listat për deputetë dhe veprimet e tjera të lidhura me obligimet që dalin nga KQZ e që duhet të ndërmerren. Kjo më ka habitur shumë dhe, për të thënë sinqerisht, kam humbur mjaft entuziazmin” – kishte thënë Pacolli ditë më parë në “Debat Plus”.
Megjithatë, Nacionale ka kuptuar se Rrahmani dhe Korenica nuk do t’i bashkohen kësaj lëvizje të Pacollit. Nacionale ka kontaktuar me Eman Rrahmanin, ish-deputet i VV-së, por ai nuk ka dashur të komentojë mundësinë e kalimit të Pacollit në PDK.
Si nisi Lista për Familjen?
Muaj më parë në Komisionin Qendror Zgjedhor u regjistrua një koalicion i quajtur “Lista për Familjen”, ku pjesë janë Aleanca Kosova e Re, Partia e Drejtësisë dhe grupe të tjera me Rrahmanin si bartës të dekluar të listës zgjedhore.
Media kishte raportuar në gusht për nisjen e re politike të dy deputetëve të VV-së, Rrahmanit e Korenicës, e cila u zyrtarizua më 1 tetor në mënyrë publike. Ditën kur u larguan nga Lëvizja Vetëvendosje, Rrahmani tregoi arsyet që dërguan nga çarja me partinë e kryeministrit Albin Kurti.
“Kemi vlerësuar se duhet një angazhim më ndryshe për qytetarët…Sot jemi me një koalicion mbipartiak…Është përgjegjësi që t’i prijë kauzës për familjen…Kauza për famuilje është kauzë mbipartiake, pjesë e këtij projekti do të jenë edhe të tjerë të dëshmuar” – kishte thënë Rrahmani gjatë një konference për media.
E gjithë kjo iniciativë politike lindi për shkak të pakënaqësive të Rrahmanit dhe Korenicës me disa nisma ligjore të Qeverisë Kurti, përfshirë Projekt kodin civil, me të cilin zyrtarizohen bashkësitë civile të seksit të njëjtë. Megjithtë, ky projekt kod civil nuk është votuar gjatë kësaj legjislature, përkundër insistimit të kryeministrit Kurti dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë.