Në 24-vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka përkujtuar atë si një njeri i devotshëm ndaj vizionit për një Kosovë të pavarur, të lirë dhe demokratike.
“Në 24-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë me respekt, Xhemail Mustafën, një njeri të jashtëzakonshëm, një aktivist politik dhe intelektual që dha gjithçka për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës. Ai ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, një njeri i devotshëm ndaj vizionit për një Kosovë të pavarur, të lirë dhe demokratike”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga presidenca e Kosovës.
Në këtë mesazh theksohet se Mustafa mbetet simbol i guximit, i integritetit dhe i përkushtimit ndaj vendit.
“Vrasja e tij mbetet një plagë e hapur, ndaj drejtësia duhet të vihet në vend. Qoftë i përhershëm kujtimi për Xhemail Mustafën!”, thuhet në mesazh.