Dallimet ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti, janë të pakapërcyeshme, thotë politologu, Artan Muhaxhiri. Sipas tij, adresimi vjetor i të parës së vendit para Kuvendit, ditë më parë, tregon se çarja mes krerëve të shtetit është e thellë, sidomos në raport me politikën e jashtme dhe dialogun. Megjithatë, ai thekson se shpërfaqja e dallimeve të Osmanit me Kurtin është e vonshme, pasi vendi tashmë është në fushatë zgjedhore.
Muhaxhiri në një intervistë për KosovaPress, flet për të ardhmen politike të presidentes, Vjosa Osmani, idenë e saj për zbatim të njëanshëm të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, vazhdimin e dialogut nën administratën e presidentit të sapozgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, zgjedhjet e 9 shkurtit dhe koalicionet e mundshme paszgjedhore.
Muhaxhiri: Dallimet ndërmjet Osmanit dhe Kurtit janë të pakapërcyeshme
“Çështja kryesore për këtë fjalim është koha. Pra koha kur është mbajtur. Mendoj se kjo përmbajtje do të duhej të ishte prezantuar së paku vitin e kaluar apo më herët. Kritikat që i bëri presidentja Osmani kanë qenë valide edhe më herët dhe si kur këto kritika veçmas në raport me aleatët ndërkombëtare do të bëheshin më mirë edhe për presidenten, kryeministrin dhe shtetin. Janë të vonshme pasi tashmë jemi në fushatë zgjedhore dhe nuk besoj se efekti i tyre mund të jetë pozitiv. Përkundrazi mendoj se mund të mobilizojë një sentiment antipresidente nga ana e kryeministrit Kurti dhe vartësive të tij... (Zbatimi i njëanshëm i marrëveshjes) Pajtohem historikisht me këtë qasje pasi historikisht Kosovës i ka dal shumë mirë kur e ka aplikuar këtë qasje, veçanërisht në Rambuje dhe Vjenë. Në Rambuje, Kosova e ka pranuar njëanshëm marrëveshjen, ku pas kësaj ka ardh bombardimet e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës, ndërkaq pas Vjenës ka ardhur pavarësia”, thotë ai.
Sipas tij, pas distancimit të presidentes Osmani ndaj qeverisë dhe kryeministrit Kurti, ajo mund të ketë një përafrim me LDK-në.
Muhaxhiri: Presidentja Osmani mund të ketë përafrim me LDK-në
“Mund të ketë një përafrim ashtu shumë elegant apo formal, por ka edhe shumë personalitete brenda LDK-së që e fajësojnë presidentes Osmani për humbjen e madhe në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. Nuk mendoj se ka ndonjë disponim shumë të madh për të përkrahur në mënyrë bllanko”, shton Muhaxhiri.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe presionin ndërkombëtarë për të dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, ai thotë se kryeministri Kurti gjendet në një pozitë të vështirë, pasi progresi në dialog mbetet e vetmja alternativë. Ai kritikon Kurtin që nuk e ka shfrytëzuar kërkesën amerikane që bashkërisht të hartojnë një draft-statut të Asociacionit.
Muhaxhiri: Nuk mendoj se ka ndonjë alternativë tjetër normale përveç avancimit në dialog
“Nuk mendoj se ka ndonjë alternativë tjetër normale përveç avancimit në dialog. Çdo gjë tjetër do të jetë vazhdim i izolimit. Nëse një lider politik dëshiron që të izolojë Kosovën dhe t’ia humb të gjitha mundësitë politike, financiare, diplomatike të avancimeve të progresit të shoqërisë sonë atëherë kjo nuk do të kishte kuptim. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Të fajësimit të Kosovës si problematikja në dialog, si një shtet që e saboton marrëveshjet dhe kritikat që vijnë nga BE-ja dhe ShBA nuk kanë më kuptim. Prandaj nuk ka kuptim që të vazhdojë kjo situatë”, thekson ai.
Politologu Muhaxhiri shton se nën administratën Trump në ShBA, do të kërkohet rezultate konkrete në dialog. Sipas tij, Trump nuk do të ketë durimin e administratës Biden, mirëpo mund të vijnë me një zgjidhje të gatshme dhe të kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ta pranojnë të njëjtën.
Muhaxhiri: Me administratën Trump s’do të ketë fleksibilitet dhe durim sikur Biden
“Administrata Trump do të jetë shumë më e ashpër, drejtpërdrejtë dhe shumë më kërcënuese ndaj palëve. S’do të ketë fleksibilitetin dhe durimin e administratës Biden. Pra jam i sigurt se do të vijnë me një zgjidhje të gatshme dhe do të kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ta pranojnë”, deklaron Muhaxhiri.
Duke folur për zgjedhjet e 9 shkurtit, ai thotë se opozita s’ka alternativë tjetër përveç aktivizimit maksimal dhe ngushtimit të rezultatit me LVV-në pas zgjedhjeve të katër viteve më parë.
Sipas tij, katër vite në pushtet e kanë konsumuar politikisht kryeministrin Albin Kurti, andaj nuk pret që i njëjti të ketë rezultatin sikurse më 14 shkurt 2021.
Muhaxhiri: Katër vite në pushtet e kanë konsumuar politikisht kryeministrin Albin Kurti
“Opozita s’ka asnjë mundësi tjetër përveç që të aktivizohet maksimalisht, pasi dallimi i madh i 14 shkurtit 2021 nuk i lë asnjë mundësi që të bëjnë ndonjë eksperiment. Duhet të shkohet në mënyrë të sigurt dhe në të gjitha nivelet dhe të kërkohet vota e qytetarëve. Nëse përsëritet edhe një herë që kryeministri Kurti i merr 50 për qind apo i afrohet 50 për qindëshit...Unë mendoj që jo por teorikisht Kurti mund t’i marrë edhe 100 për qind të votave...Katër vite të qeverisjes e kanë konsumuar politikisht kryeministrin Kurti. Kurti i 9 shkurtit nuk është i 14 shkurtit 2021. Kanë ndryshuar rrethanat, është cenuar ai imazhi i kulluar i një lideri i cili mund t’i zgjedh me lehtësi problemet e mëdha të Kosovë. Mungesa e zhvillimit ekonomik, projekteve infrastrukturore, dëmtimi i raporteve me aleatë e kanë dëmtuar atë fotografinë të kryeministrit Kurti për vetën e tij”, thekson Muhaxhiri.
Megjithatë, ai e sheh si të mundshme që ndonjë prej partive opozitare të lidh koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.