Është vendosur gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor te Ura e Bistricës në Leposaviq.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Këto ngirjte dhe forcime të kapaciteteve, sipas Sveçlës nuk do të ndalen, dhe bëhen më qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së sigurisë dhe kushteve të punës së Policisë së Kosovës.
“Në vazhdën e përmirësimit të infrastrukturës së sigurisë dhe kushteve të punës së Policisë së Kosovës, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, vendosëm sot gurthemelin e objektit të ri të nënstacionit policor te vendi i njohur si Ura e Bistricës së Leposaviqit. Objekti i ri e modern do të jenë në shfrytëzim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët nga ky vend, po shërbejnë prej gati dy vitesh në luftimin e çdo kriminaliteti, mbrojtjen e kufirit tonë e për sigurinë e përgjithshme të Republikës sonë”, ka shkruar ministri në Facebook.
“Nga 1 zyre që kemi gjetur në dispozicion të ruajtjes së kufirit me Serbinë sot kemi 9 nënstacione me polic të përkushtuar e në shërbim të Republikës sonë. Do të vazhdojmë pa u ndalur në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve tona për të përballur me sukses çdo sfidë që mund të na dalë përpara”.