Korporata Bujqësore “KRUSHA” bashkë me Fahrije Hotin të martën do të mbajnë konferencë për media.
Kjo pasi sipas tyre, ata do të demantojnë shpifjet e ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit ndaj “KB KRUSHA” dhe Fahrije Hoti.
“Duke marrë parasysh se kohëve të fundit, përmes rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të Facebook-ut të Ministrit të Bujqësisë, z. Faton Peci, po qarkullojnë deklarata dhe informacione të pabaza dhe tendencioze, me pretendimin se znj. Fahrije Hoti është paditur nga Ministria e Bujqësisë në vitin 2017 për kthimin e një shume prej 17,800 eurosh, ne ndjejmë të nevojshme të reagojmë. Gjithashtu, kemi vërejtur një përpjekje për të politizuar këtë situatë, duke e lidhur atë me ngjyrime partiake, çka është e papranueshme dhe e pavërtetë. Për këtë arsye, ftojmë të gjitha mediat e Kosovës të marrin pjesë në një konferencë shtypi, ku do të paraqiten fakte dhe argumente që demantojnë këto pretendime të rreme të shpërndara nga z. Peci”, thuhet në njoftimin e Krushës.
Konferenca nis nga ora 11:00 dhe mbahet në sallën e konferencave të “KB KRUSHA”.