Kërkohet më shumë angazhim politik krahas punës së policisë në veri

Aktuale

Kërkohet më shumë angazhim politik krahas punës së policisë në veri

Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 21:22
Foto ilustrim

Puna e konstitucioneve të sigurisë në veri po vlerësohet të jetë e mirë, mirëpo po kërkohet të ketë më shumë angazhim politik nga ana e pushtetit.

Që nga vrasja e policit Afrim Bunjaku në shtator të vitit të kaluar në Banjskë, situata në veriun e vendit u konsiderua si e brishtë.

Që nga ajo kohë, është shtuar numri i patrullimeve të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.

Këto patrullime kanë rezultuar edhe me zbulimin e shumë armatimeve por edhe aksione të ndryshme në atë pjesë të vendit.

Megjithatë përkundër punës së mirë të institucioneve të sigurisë atje, po vlerësohet se këto të fundit duhet të jenë vigjilente.

Koloneli në pension i FSK-së, Hysen Gecaj thotë se ende janë prezente grupet kriminale në veri të vendit.

“Në veri nuk janë shporrë bandat serbe, ato kanë rënë në heshtje janë në pritje jashtë shtetit ndoshta ka dalë kreu i atyre bandave mirëpo kjo aspak nuk e bën situatën më të lehtë për Kosovën sepse organet tona të sigurisë i ndjekin ato forca terroriste dhe ato detyrohen me u strehu dikund po e them kushtimisht brenda Kosovës me pjesën dërmuese të armatimit e cila po gjindet”, tha Gecaj.

Sipas tij për një qetësim të situatës atje, duhet punë e angazhim më i madh politik nga ana e pushtetit.

“Jo politika të thirret se po bëhet një punë e mirë nga organet e sigurisë e cila gjithsesei është punë e mirë por në tjetrën anë e kemi një popullatë e cila është tërheqë prapa dhe nuk është pjesëmarrëse në institucionet e rëndësishme shtetërore në veri. Nuk marrin pjesë në aktivitetet e përditshme, nuk marrin pjesë në gjyqësi, në Prokurori, Polici dhe kështu me radhë”, tha ai.

E anëtari i Komisionit për Siguri, Hisen Berisha thotë se pushtetarët e dijnë saktë vendbazimin e armatimeve në veri aktualisht.

“Është ditur se përmes kamionëve janë infiltruar armë dhe sasi armësh unë edhe atëherë kur e ndalën kam pyetur se ku kanë shkuar deri tash ato armatime, vendbazimet e tyre ekzistojnë dhe unë e di sakt se z.Sveçla i cili bën eksperimente duke veshë uniformë të njësive special për me dalë në veri për shkak të ndalesës nga KFOR-i e din saktë se ku i ka këto të vendbazuara”, tha Berisha.

Gjatë të premtes, kryeministri Kurti në një intervistë për media zvicerane u shpreh se gjithmonë ekziston rreziku nga Serbia pasi që ajo synon hakmarrjen ndaj Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat