Në 24-vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, ka reaguar veprimtari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramazan Bekteshi.
Ai përmendi faktin se si ende vrasësit e tij vazhdjnë të lirë, duke e cilësuar si një humbje të madhe të një njeriu të urtë e mendjendritur.
Megjithatë, Bekteshi në postimin e tij në Facebook, kritikoi LDK-në, partinë për të cilën u flijua Xhema, ku e njëjta sipas tij po vazhdon të hesht si për kob.
“Iku gati një çerek shekulli nga shuarja e Xhemës, e vrasësit vazhdojnë të enden të lirë. Partia për të cilën u flijua Xhema vazhdon të heshti si për kob, duke pretenduar se e ka shfajësuar dhe amnistuar veten, me angazhimin e të birit në politikë, jo se ai s’e meriton, por kjo kurrë s’e mbulon humbjen e madhe të një njeriu të urtë e mendjendritur, që u vra vetëm pse ishte bashkëpunëtor i presidentit historik.
As heshtja e paarsyeshme, as bashkëpunimi me ata që supozohet se e kryen aktin makabër, as të qenurit herë mashë e herë filial, që e shndërruan partinë më të madhe në vend në 12%, nuk janë indikator se partia ka nis rrugën e ripërtrirjes pas shumë humbjeve të njëpasnjëshme”.
Krahas kësaj, veprimtari nga SHBA vlerësoi se me këtë qasje të LDK-së, kjo parti do vazhdojë të mbesë në vendin në tretë edhe në zgjedhjet e reja parlamentare.
Ai konsideron se LDK-ja e vazhdon heshtjen e varrit për të gjithë heronjtë e saj që u flijuan vetëm pse ishin rugovistë.
“Me këtë takat e me këta udhëheqës, me gjasë sërish partia do të mbes në vendin e tretë. LDK-ja, në vendëse të këndellet me forca të reja vetanake, nga 'akademia' e saj dikur e famshme, ajo po i mbledh të gjithë të dëshpëruarit, të gjitha refugjatët e partive tjera, të gjitha ORA-t e prishura të kryeqytetit katapultohen në LDK.
Fatkeqësisht, LDK-ja e vazhdon heshtjen e varrit për të gjithë heronjtë e saj që u flijuan vetëm pse ishin LDK-istë e rugovistë. As Xhema ynë, i urtë e i mençur, as Enveri ynë, trim e vizionar dhe as dhjeta beronjë të LDK-së që u flijuan për idealet e pavarësisë, s'janë duke u prehur si heronj e denjësisht, në Kosovën e lirë, sovrane e të pavarur, derisa vrasësit ecin të lirë. Fatkeqësisht, partia e mbetur pa principe, i ka harruar dhe as që çan kokën për martirët e saj, sepse qëllimi i saj i vetëm është si të vij në pushtet, pa e zgjedh mjetin dhe aleatin, derisa politikanët e saj që vazhdojnë të riciklohen në politikë edhe pas një çerek shekulli, secili më i,e pasur se shoqi”, theksoi ai.
Ndër të tjera, Bekteshi vazhdoi me kritika të cilat nuk i kurseu ndaj LDK-së dhe faktit që ajo nuk po i mbron heronjët e saj në mënyrë të duhur.
Derisa, paralajmëroi dënim për këtë parti, shkaku i qasjes së saj ndaj familjeve të të vrarëve politik.
“Partia që s'i mbron heronjtë e saj është e destinuar të jetë humbëse e madhe, e turpëruar e pa dinjitet. Partia, që shkëlqimin dhe namin e saj të dikurshëm e fitoi përmes sakrificës sublime të këtyre heronjëve, tani, ajo si për kob, me heshtje e mosveprim, e injorim po i baltos sakrificat sublime, jetët dhe idealet e shumë gjeneratave, paturpësisht!
Kur mungon guximi, kur nderi për martirët, heronjtë bëhet vetëm në përvjetor, kur disa familje të kësaj kategorie jetojnë në kufinjë të skamjes, kur drejtësinë e vonuar e lë nën mëshirën e harresës, dhe derisa liderët e partive për një ndeshje futbolli fluturojnë deri në Romë, Barcelonë e Londër, mos prit shpërblim, por dënim!” – përmbylli Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.