Historiani Abdullahu tregon pse u zgjodh Vlora për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë

Aktuale

Historiani Abdullahu tregon pse u zgjodh Vlora për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë

Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 22:03
Historiani, Durim Avdullahu

Historiani, Durim Avdullahu, ka treguar se përzgjedhja e Vlorës për shpalljen e pavarësisë u bë për arsye se në atë kohë ishte ende qytet i lirë si dhe për arsye se ishte zonë e njohur për Ismail Qemalin.

Sipas Avdullahut, Ismail Qemali morri udhëzim nga ministri i jashtëm austro-hungarez për të gjetur një vend ende të pa pushtuar për ta mbajtur Kuvendin e Vlorës.

Ai ka shtuar se ministri austro hungarez i premtoi Ismail Qemalit se pasi të proklamohej pavarësia e Shqipërisë, vetë Austro-Hungaria do të angazhohej në rrafshin diplomatik dhe ushtarak për sigurimin e territorit të shtetit shqiptar.

“Përzgjedhja e Vlorës ishte për dy arsye, sepse ishte ende qytet i lirë dhe e dyta sepse ishte zonë e njohur për Ismail Qemalin dhe le të themi arkitekti i vërtetë i logjistikës së organizimit të Kuvendit të Vlorës është Syrja bej Vlora, kushëriri i parë i Ismail Bej Vlorës, ndonëse ai nuk figuron te firmëtarët e pavarësisë, sepse bashkë me të birin Eqrem Bej Vlorën drejtuan trupat vullnetare që ruanin jugun e Shqipërisë prej depërtimit të ushtrisë greke prej jugut dhe në fund të nëntorit kur po mbahej mbledhja e parë e Kuvendit të Vlorës kishin ngelur realisht vetëm pak më shumë se 3 mijë kilometra katror të pa pushtuara prej ushtrisë greke.

Ismail Qemali morri udhëzimin prej ministrit të jashtëm austro-hungarez që të gjente një vend ende të pa pushtuar për mbajtjen e kuvendit dhe pasi të ishte proklamuar pavarësia e Shqipërisë ai premtoi se do të ishte vetë shteti i Austro-Hungarisë që do të angazhohej në rrafshin diplomatik por edhe në rrafshin ushtarak në terren, ai premtoi që 20 mijë trupa ushtarake austriake që ishin të stacionuara në Bosnjë mund të zbrisnin drejt jugut edhe të siguronin hapësirën edhe territorin ku do të mund të ishte funksional edhe i mundshëm një shtet shqiptar”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat