Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për politikat e saj në lidhje me tekstet shkollorë, duke e cilësuar vendimin për subvencionimin e teksteve shkollore si një “gabim fatal” që ka pasur ndikim negativ në buxhetin e vendit.
Sipas Lushakut, buxheti i dedikuar për projektin për digjitalizimin e arsimit parauniversitar është devijuar për të financuar subvencionimin e teksteve, një vendim që, sipas saj, nuk ka pasur rezultate të qëndrueshme.
“Nuk ka mund mi menaxhu kontratat, që është dashur mi rezervu ose mi siguru librat për nxënësit dhe i ka subvencionuar prindërit. Sot pas dy vitesh me metodën që e ka aplikuar ministrja Nagavci, për subvencionim të prindërve, ne nuk e dimë shumë totale se sa i ka kushtuar shtetit të Kosovës. Sepse buxheti i dixhitalizimit është dalë këndej kah librat më qëllim që me u arrit niveli më i lartë që janë subvencionuar librat. Ne kemi qenë komplet kundër. Dhe besoj se kjo ka qenë një gabim fatal që i ka kushtuar buxhetit të Kosovës”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Ajo ka thënë se Nagavci nuk ka bërë asnjë reformë në arsim gjatë mandatit gati 4 vjeçar.