​Dy dekada frymëzuese të ndryshimit, KAEF shënon 20-vjetorin e themelimit

Aktuale

​Dy dekada frymëzuese të ndryshimit, KAEF shënon 20-vjetorin e themelimit

Më: 29 nëntor 2024 Në ora: 17:29
Foto nga vendi i ngjarjes

Për dy dekada Fondi Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF) i ka hapur dyert për realizimin e ëndrrave për arsimim e karrierë për të rinjtë e Kosovës.

Qe nga themelimi i programit në vitin 2004, mbi 115 bursistë kanë studiuar në mbi 40 universitete të shquara të SHBA-së, në mbi 20 fusha me fokus zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në shënimin e 20 vjetorit të themelimit, Drejtori i Këshillave Amerikan në Kosovë, Gjeni Shporta, tha se çdo moment i tillë është një mundësi për të nderuar të kaluarën.

Shporta: Rikujtojmë rëndësinë e madhe të kohës

Ndërsa festojmë përvjetorin e 20 [KAEF-it], na rikujtohet rëndësia e madhe e kohës, jo vetëm si matës i viteve, por si reflektim i qëllimit dhe përparimit. Koha na mundësoi udhëtimin, duke na lejuar të reflektojmë mbi vizionin e guximshëm që e nisi gjithë këtë, për të festuar momentet e panumërta të transformimit gjatë rrugës, na kujton se çdo moment historik është një mundësi për të nderuar të kaluarën, për të përqafuar të tanishmen, dhe për t'u përgatitur për një të ardhme edhe më të ndritshme. Është kënaqësi ta shënosh këtë 20-vjetor të mrekullueshëm të KAEF-it dhe njëkohësisht 50 vjetorin e Këshillave Amerikan”, ka thënë ai.

Lisa Choate, presidente e Këshillave Amerikan, ka shtuar se organizata po lulëzon me mbi 100 mijë bursistë, duke përfshirë 115 të KAEF-it dhe 170 pjesëmarrës të programeve të tjera.

Choate: Jemi një organizatë që po lulëzon me mbi 100 mijë bursistë

“Jemi një organizatë që po lulëzon me mbi 100 mijë bursistë, përfshirë 115 të tillë të KAEF-it dhe 170 busistëtë jashtëm që përfaqësojnë këtu. Kemi 40 vende ku veprojmë dhe kemi 700 staf, këtu në Prishtinë dhe gjithashtu edhe në Uashington DC dhe në tërë botën. Studentët tanë duke udhëtuar dhe duke mësuar mjediset e reja mësojnë dhe rriten dhe bëjnë shtetet tona më të mira dhe më të fuqishme. Objektivat tona janë të larta për të ardhmen, presim shumë prej juve”, ka thënë Choate.

Ndërsa, bashkë -kryetari amerikan i Bordit të KAEF, Michael Hora, është shprehur se Kosova, pa përjashtim, ka studentë të dalluar.

Hora: Kosova është e para

“Kam takuar shumë njerëz në shtetin tuaj dhe kam takuar dhe shumë student të rinj nga e tërë bota, Kosova është e para pa përjashtim, jeni të mirë sa të gjithë të tjerët”, është shprehur Hora.

Bashkëkryetarja e bordit te KAEF-it në Kosovë, Jeta Zagragja tha se edukimi mbetet forca më e fuqishme për shtetndërtimin e qëndrueshëm. Derisa nënvizoi se gjatë shtatë viteve sa ka udhëhequr bordin, ka parë nga afër se sa domethënëse mund të jetë një bursë.

Zagragja: Edukimi mbetet forca më e fuqishme për shtetndërtimin e qëndrueshëm

“Puna e tyre është dëshmi e fuqisë së edukimit dhe efekti shkon përtej ndikimit individual. E dimë se misioni ynë nuk është më i lehti... Po ndërtojmë një të ardhme të Kosovës që është demokratike dhe plot me potencial. Vërtet besojmë që edukimi mbetet forca më e fuqishme për shtetndërtimin e qëndrueshëm. Puna jonë nuk ka përfunduar”, nënvizoi ajo.

Anëtari i bordit, Gazmend Gjonbalaj ka prezantuar menaxheren e përgjithshme dhe zëvendëspresidenten e Microsoft, Drena Kusari-Berisha, e cila ishte folësja kryesore e mbëmjes.

Gjonbalaj: Është kënaqësia e veçantë ta prezantojnë një shqiptare amerikane Drena Kusari-Berisha

“Është kënaqësia ime e veçantë ta prezantoj një shqiptare amerikane Drena Kusari Berisha, menaxhere e përgjithshme dhe zëvendëspresidente e produktit te Microsoft”, ka prezentuar Gjonbalaj.

Drena Kusari Berisha theksoi se KAEF tash e dy dekada ka hapur dyert drejt arsimit, karrierës dhe ëndrrave të studentëve.

Kusari-Berisha: Për dy dekada, ky program ka hapur dyer drejt arsimit, karrierës dhe ëndrrave

Për dy dekada, ky program ka hapur dyert drejt arsimit, karrierës dhe ëndrrave, në një kohë janë dukur të largëta...Për 25 vite punë në Kosovë kemi qenë duke e zënë hapin e pjesës tjetër të botës, por 25 të ardhshme do të jenë për ne që ripërkufizojmë se çka është e mundshme, sidomos me teknologjitë në shfaqje”, ka theksuar Kusari-Berisha.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka thënë se të diplomuarit e KAEF-it mbajnë role kyçe në institucione dhe organizata edhe në sektorin privat dhe sipas tij “fuqizojnë kombin dhe ndërtojnë Kosovën si një shtet të fuqishëm”.

Kurti: KAEF ka krijuar rrjet të profesionistëve që kthehen në Kosovë

“Për dy dekada KAEF-i, ka ofruar bursa të plota në universitete më të mira të SHBA-ve, duke krijuar një rrjet të profesionistëve që kthehen në Kosovë, me shkathtësi të vlefshme dhe përkushtim në këtë drejtim...Me 11 milionë dollarë investim, gjatë 20 vitesh, KAEF-i ka prodhuar 117 të diplomuar që kanë menaxhuar projekte me vlerë mbi 80 milionë euro, e që kanë filluar prej 50 biznese, kanë krijuar mbi 10 mijë vende pune dhe kanë trajnuar mbi 5 mijë njerëz... Partneriteti jonë me KAEF dhe American Councils përafrohet në mënyrë të përkryer me vizionin tonë që të jemi më të mirët në rajon, në të gjithë sektorët... Ky partneritet ka pasur ndikim shumë të madh, ku tani bursist të KAEF-it, mbajnë role kyçe në institucione dhe organizata dhe në sektorin privat që fuqizojnë kombin tonë dhe ndërtojnë një shtet të fuqishëm”, ka thënë Kurti.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është shprehur se KAEF ka kontribuar për Kosovën në mënyra të ndryshme si në sektorin privat edhe në atë publik.

Jahjaga: KAEF ka kontribuar për Kosovën si në sektorin privat edhe ashtu në atë publik

Qeveria amerikane, misioni USAID në Kosovë, të ndihmuar më pas nga bizneset e individët që u bënë partnerë të KAEF-it e së fundi edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e kanë bërë të mundur që KAEF të vazhdoj misionin për plot 20 vite deri më tani. Rrugëtimet e suksesshme, përmbajnë edhe plot veprime suksesi, këto i kemi parë sonte dhe i kemi parë me vite të tëra përmes bursës së KAEF-it, të cilët kanë kontribuar për vendin tonë në mënyrë të ndryshme si në sektorin privat edhe ashtu në atë shtetërorë”, është shprehur Jahjaga.

Përveç prezantimeve, në këtë përvjetor nuk munguan as mirënjohjet ndaj personave që kanë dhënë kontribut:

·Çmimi i KAEF-it per Trashigiminë e Themeluesit – Dale B. Pfeiffer

·Çmimi i KAEF-it për Avokim - Fondacioni Behgjet Pacolli

·Çmimi i KAEF-it për Korporatën Ndryshimtare – Meridian Express

·Çmimi i KAEF-it për Arritje të Shquara - Michael E. Hora

·Çmimi i Trashëgimisë së KAEF-it - Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID)

Komuniteti i KAEF-it shpreh mirënjohje të thellë për mbështetësit bujarë të mbrëmjes: Rockerfeller Brothers Fund, Fondacioni Behgjet Pacolli, Meridian Express, AnchorzUp, FINCA, Bzzz Entertainment, InterSport Kosova, KOSTT, Recura Financials, Bora, Gjirafa, INSI, KFC, Prishtina Mall, Prishtina Premium, Shkolla.AI, The Hartsdale Group dhe Ëasabi.

Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga kjo mbrëmje kanë shkuar për Fondin Kosovaro-Amerikan të Arsimit.

KAEF, i themeluar me fonde nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), tani financohet kryesisht përmes mbështetjes bujare të individëve dhe bizneseve në Kosovë, Qeverisë së Kosovës, donatorëve amerikanë dhe universiteteve amerikane. /A. Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat