Në dëshminë e tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Endrit Zeqiri thotë së njëri nga personat e maskuar që kanë hyrë në pompën e derivateve “Stella Petroll” i ka marrë parat dhe e ka goditur me shkelmë.
“Unë kam pas 20 euro, të cilat i kam pasur në dorë dhe m’i ka marrë prej dore dhe më ka goditur me shkelëm”, tha dëshmitari Zeqiri.
Këtë deklaratë dëshmitari e ka dhënë të premten në rastin ku Arton Sekiraqa, Fitim Munishi, Xhevdet Salihu dhe Flamur Muli akuzohen se kanë kryer grabitje me armë AK-47 nëpër pompat e derivateve.
Tutje në dëshminë e tij, Zeqiri tha se atë natë së bashku me dy shokë dhe një familjar të tij ishin nisur për të blerë pije në pompën me të afërt që kishte pranë shtëpisë së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai ka treguar se në momentin kur shkoi te arka për të bërë pagesën, dy persona të maskuar kishin hyrë dhe njëri prej tyre e kishte goditur dëshmitarin.
“Pasi kam marrë pijet dhe kam nxjerr të hollat për të paguar, për një moment kanë hyrë dy persona të armatosur. Njëri person ka shku ka punëtori i “Stellës” dhe tjetri person është marrë me mua ku më ka goditur”, shtoi dëshmitari.
Gjithashtu, dëshmitari tha se përpos dy të maskuarve që kanë qenë brenda, një person tjetër po ashtu i maskuar ka qenë jashtë me revole duke i kërcënuar shokët dhe familjarin e dëshmitarit.
“Personat kanë qenë të maskuar, dy kanë hi brenda, një ka qenë me revole te vetura me familjarin tim dhe shokët e mi duke ju thënë mos livrinti se ju vraj”, tha tutje dëshmitari.
Pas dëshmisë së këtij dëshmitari, kjo seancë u ndërpre për shkak se tre dëshmitarë të cilët nuk ishin prezent, të cilët janë edhe zyrtar policor, janë dërguar në një trajnim.
Këtë bënë të ditur, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Syla, i cili bëri të ditur se të njëtit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt por nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themeloren në Prishtinë, e ngritur me datë 5 janar 2024, në pikë e parë të saj thuhet me datë 30 korrik 2023 rreth orës 21:00 se Arton Sekiraça, Flamur Mula, Fitim Munishi dhe Xhevdet Salihu me qëllim që vetes t’i sjelllin vetes dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme përmes përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze të masakruar dhe nën kërcenim të armës së zjarrit kishin hyrë brenda në lokalin “ Interex” duke kanosur të dëmtuarit E.B, N.J, R.V. dhe M.S. u kishin marrë parat në vlerë prej 6 mijë e 700 euro dhe cigare prej 600 euro dhe ishin larguar me veturën e tipit “ Opel Vektra”.
Prandaj me këto veprime kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).