​Shpërthim i fuqishëm në Zubin Potok, Kurti thërret konferencë të jashtëzakonshme

Aktuale

​Shpërthim i fuqishëm në Zubin Potok, Kurti thërret konferencë të jashtëzakonshme

Më: 29 nëntor 2024 Në ora: 20:13 Përditësuar në ora: 23:44 më 29.11.2024
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shpërthim në Zubin Potok, në vendin e ngjarjes dalin ministri Sveçla dhe drejtori i Policisë

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën kryesore, në fshatin Vragë të Zubin Potokut. Në vendin e ngjarjes ka dalë ministri i Brendshëm , Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Sveçla e ka cilësuar këtë rast si një akt terrorist, duke e quajtur një sulm ndaj një infrastrukture kritike.

“Pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes. Meqë rast është parë se si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar”, ka thënë Sveçla nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e Policisë së Kosovës, të KEK-ut, të zjarrfikësve, të kërkim shpëtimit.

Nga ky shpërthim është dëmtuar një kanal i Ibër-Lepencit, çka ka shkaktuar rrjedhjen e pakontrolluar të ujit në atë zonë.

Shpërthimi në “Ibër Lepenc”/ Kryeministri thërret konferencë të jashtëzakonshme

Mediat raportuan sonte se kanalet e “Ibër Lepencit” në veri të vendit janë sulmuar me një mjet shpërthyes.

Rastin për media e konfirmoi edhe kryeshefi i kësaj KRU-je, Faruk Mujka.

“Po. Këtë punë e ka marrë në kompetencë policia. Po, e kemi një dëmtim dhe për momentin e kemi ndaluar ujin dhe po këqyrim me e sanu sa më shpejt, sepse prej aty po lirohet edhe ujësjellësit edhe KEK-u. Kështu që, po këqyrim sa më shpejt me e rregullu këtë punë”, tha Mujka.

Ndërkohë, zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti do të mbajë konferencë për media me fillim nga ora 23:30.

Prokuroria flet për shpërthimin në Ibër Lepenc: Po hetohen të gjitha rrethanat

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se janë duke hetuar të gjitha rrethanat se si ka ndodhur shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër Lepencit.

Për median, Valon Preteni ka thënë se prokurori kujdestar ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe në bashkëpunim më akterët e tjerë të drejtësisë janë duke u marrë me rastin në fjalë.

“Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes, është duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, Njësinë Antiterrorizimit, dhe me Prokurorinë Speciale të Kosovës”.

“Të gjitha rrethanat se si ka ndodhur rasti në fjalë janë duke u hetuar”, ka thënë Preteni.

Ujësjellësi “Mitrovica”: Është ndërprerë furnizimi me ujë, shkak shpërthimi në kanalin e Ibër Lepencit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes, për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër Lepencit.

Në një njoftim në Facebook, KRUM shton se nga ky kanal furnizohen me ujë të pa përpunuar.

“Prandaj, ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijes. Për çdo zhvillim të ri ne do u mbajmë të informuar”, thuhet në njoftim.

Kanaliti Ibër Lepencit është dëmtuar pas një shpërthimi të fuqishëm që ka ndodhur në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

​Zubin Potok, dyshohet se kanali ku ndodhi shpërthimi furnizon KEK-un me ujë

Një shpërthim i fuqishëm sonte në Varagë të Zubin Potok, ka dëmtuar kanalin e ujit Ibër-Lepenc.

Dyshohet se kanali në të cilin ndodhi shpërthimi, furnizon Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me ujë.

Media mëson se mund të priten probleme të furnizimit me energji elektrike.

Policia më herët konfirmoi për KosovaPress se ka pasur shpërthim dhe se ekipet policore po punojnë për ndriçimin e rastit.

Shpërthim i fuqishëm në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmjen e sotme në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, ka thënë Elshani.

Mësohet se uji ka nisur të rrjedhë nga kanali në mënyrë të pakontrolluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat