Shpërthimi i fuqishëm në Zubin Potok, kryeministri Kurti: Sulm kriminal e terrorist, vjen nga bandat serbe!

Aktuale

Shpërthimi i fuqishëm në Zubin Potok, kryeministri Kurti: Sulm kriminal e terrorist, vjen nga bandat serbe!

Më: 29 nëntor 2024 Në ora: 20:15 Përditësuar në ora: 00:28 më 30.11.2024
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti thirrje qytetarëve që të jenë të qetë: Në sulmin në Ibër Lepenc u përdor sasi e madhe e eksplozivit

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të tregojnë qetësi për shpërthimin që ka ndodhur në kanalin kryesor të Ibër Lepencit.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ai ka thënë se adresa e vetme që beson fuqishëm e këtij sulmi  janë bandat që kanë mbështetjen e Serbisë.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi udhëzimet dhe njoftimet nga institucionet në Republikën e Kosovës. Organet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës, rikuperimin e dëmit dhe  zbardhjen e plotë të rastit”, ka thënë Kurti.

“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës terrorist,  që ne besojmë se vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia, e cila e ka edhe interesin, edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla”.

Tutje, Kurti ka theksuar se është përdorur një sasi e madhe e eksplozivit për të shkaktuar dëme në energji elektrike dhe furnizimit me ujë të qytetarëve.

“Në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe kur riparimi është i vështirë, nëse dëmi nuk riparohet një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike, një pjesë e Prishtinës dhe disa qytetet tjera mund të mbesin pa ujë”.

“Me bindjen tonë të fuqishme nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë dhe fajësinë për organizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi përveç Beogradi zyrtar dhe strukturave të tyre kriminale me në krye Milan Radioçiqi që e kanë mbështetjen nga institucionet serbe dhe presidenti Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Kurti.

E thotë Kurti: Arsyeja pse po sulmohemi tash është pikërisht suksesi i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, në konferencën e jashtëzakonshme për media pas sulmit në Ibër Lepenc, tha:

“Unë s’i kam emrat e atyre që e kanë bërë shpërthimin në Ibër Lepenc, por unë e di një gjë se elementet të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile e Brigadës Veriore, e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar”.

“Nuk do të kishte Brigadë Veriore e Mbrojtje Civile nëse nuk do ta kishin mbështetjen nga Beogradi zyrtar. I kemi shpallur organizata terroriste sepse kanë vepruar në territor të Kosovës. Individë mund të ketë ende, por ato banda në përgjithësi janë shporrur”.

“Arsyeja pse Kosova duhet të përballet me këto sulme tash është pikërisht suksesi ynë, i cili po i çmend ata. Po të dështonte shteti i Kosovës nuk do të na i bënin këto”, tha kryeministri Kurti.

Shpërthimi në Ibër Lepenc, Kurti do të mbajë mbledhje të Këshillit të Sigurisë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të mbajë mbledhje urgjente me Këshillin e Sigurisë së Kosovës pas shpërthimit që ka ndodhur në kanalin e ujit në Ibër Lepenc.

Ai, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka theksuar se do të ketë takim edhe me komandantin e KFOR-it në Kosovë.

Kurti u shpreh falënderues ndaj aleatëve për mbështetjen që treguan në këtë rast.

“Falënderoj partnerët tanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen e tyre që treguan ndaj vendit tonë. Menjëherë pas kësaj konferencë do të takohem me komandantin e KFOR-it”.

“Po ashtu do të mbajë edhe nëj mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti: Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit kriminal dhe terrorist që vije nga Serbia

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në konferencën e jashtëzakonshme me gazetarë ka dënuar sulmin në Zubin Potok ku është dëmtuar rëndë sistemi i ujitjes Ibër-Lepenc, duke shkaktuar rrjedhjen e pakontrolluar të ujit në atë zonë. Kurti tha se është sulm kriminal dhe terrorist.

Kreu i Qeverisë tha se sulmet terroriste e dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, ne besojmë nga fqinji ynë verior agresiv e armiqësor.

“Vetëm ditëve të fundit patën msyer me granata dore në stacioni policor në Zveçan, më 26 nëntor, mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi të objekti Komunës së Zveçanit, e sonte ishte akti më i rëndë, ku rreth orë 19:00 në afërsi të fshatit Vragë të Zubin Potokut, me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike".

Kryeministri tha se Policia e Kosovës është në vendin e ngjarjes dhe në krye të detyrës, derisa njoftoi se  furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht sipas paralajmërimeve e njoftimeve nga KRU ‘Mitrovica’.

Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase më të rëndësishme që kemi”, tha Kurti

Sveçla për shpërthimin në Zubin Potok: Akt terrorist, eksplozivi vjen nga stoqet e Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas shpërthimit që ka dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Ai ka cilësuar këtë rast si një akt terrorist, duke e quajtur një sulm ndaj një infrastrukture kritike.

“Pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes. Meqë rast është parë se si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar”, ka thënë Sveçla nga vendi i ngjarjes, ku ishte së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën.

"Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë, që nuk është e lehtë të gjindet në tregun e zi. Kjo patjetër që vjen nga rezervat nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, ka thënë Sveçla.

Shpërthim në Zubin Potok, në vendin e ngjarjes dalin ministri Sveçla dhe drejtori i Policisë

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën kryesore, në fshatin Vragë të Zubin Potokut. Në vendin e ngjarjes ka dalë ministri i Brendshëm , Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Sveçla e ka cilësuar këtë rast si një akt terrorist, duke e quajtur një sulm ndaj një infrastrukture kritike.

“Pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes. Meqë rast është parë se si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar”, ka thënë Sveçla nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e Policisë së Kosovës, të KEK-ut, të zjarrfikësve, të kërkim shpëtimit.

Nga ky shpërthim është dëmtuar një kanal i Ibër-Lepencit, çka ka shkaktuar rrjedhjen e pakontrolluar të ujit në atë zonë.

Shpërthimi në “Ibër Lepenc”/ Kryeministri thërret konferencë të jashtëzakonshme

Mediat raportuan sonte se kanalet e “Ibër Lepencit” në veri të vendit janë sulmuar me një mjet shpërthyes.

Rastin për media e konfirmoi edhe kryeshefi i kësaj KRU-je, Faruk Mujka.

“Po. Këtë punë e ka marrë në kompetencë policia. Po, e kemi një dëmtim dhe për momentin e kemi ndaluar ujin dhe po këqyrim me e sanu sa më shpejt, sepse prej aty po lirohet edhe ujësjellësit edhe KEK-u. Kështu që, po këqyrim sa më shpejt me e rregullu këtë punë”, tha Mujka.

Ndërkohë, zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti do të mbajë konferencë për media me fillim nga ora 23:30.

Prokuroria flet për shpërthimin në Ibër Lepenc: Po hetohen të gjitha rrethanat

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se janë duke hetuar të gjitha rrethanat se si ka ndodhur shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër Lepencit.

Për median, Valon Preteni ka thënë se prokurori kujdestar ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe në bashkëpunim më akterët e tjerë të drejtësisë janë duke u marrë me rastin në fjalë.

“Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes, është duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, Njësinë Antiterrorizimit, dhe me Prokurorinë Speciale të Kosovës”.

“Të gjitha rrethanat se si ka ndodhur rasti në fjalë janë duke u hetuar”, ka thënë Preteni.

Ujësjellësi “Mitrovica”: Është ndërprerë furnizimi me ujë, shkak shpërthimi në kanalin e Ibër Lepencit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes, për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër Lepencit.

Në një njoftim në Facebook, KRUM shton se nga ky kanal furnizohen me ujë të pa përpunuar.

“Prandaj, ju lusim që të siguroni rezerva të ujit të pijes. Për çdo zhvillim të ri ne do u mbajmë të informuar”, thuhet në njoftim.

Kanaliti Ibër Lepencit është dëmtuar pas një shpërthimi të fuqishëm që ka ndodhur në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

​Zubin Potok, dyshohet se kanali ku ndodhi shpërthimi furnizon KEK-un me ujë

Një shpërthim i fuqishëm sonte në Varagë të Zubin Potok, ka dëmtuar kanalin e ujit Ibër-Lepenc.

Dyshohet se kanali në të cilin ndodhi shpërthimi, furnizon Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me ujë.

Media mëson se mund të priten probleme të furnizimit me energji elektrike.

Policia më herët konfirmoi për KosovaPress se ka pasur shpërthim dhe se ekipet policore po punojnë për ndriçimin e rastit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat