Bastisje në rajonin e Zubin Potokut – Arrestime në lokacione të ndryshme, zbardhen detaje të reja

Aktuale

Bastisje në rajonin e Zubin Potokut – Arrestime në lokacione të ndryshme, zbardhen detaje të reja

Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 08:53 Përditësuar në ora: 13:46 më 30.11.2024
Lumi i Ibër Lepencit

Me pranga në duar, momenti kur shoqërohet në polici njëri nga të dyshuarit për shpërthimin në “Ibër Lepenc’

Në kanalet e ujësjellësit të “Ibër Lepencit” mbrëmë ndodhi një shpërthim i qëllimshëm me eksplozivë, që sipas krerëve të shtetit, u bë nga grupet kriminale serbe në veri.

Policia e Kosovës ka kryer disa arrestime në veri, që dyshohen që kanë të bëjnë me rastin e mbrëmshëm.

Media ka siguruar pamje teksa shoqërohet në polici një person, i dyshuar për implikim me shpërthimin.

Burime të medias kanë bërë të ditur se afro 10 persona janë të arrestuar lidhur me sulmin.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, ka prova të dukshme që disa nga të arrestuarit janë të ndërlidhur me shpërthimin e fuqishëm.

Arrestimi i tyre është kryer në orët e para të mëngjesit dhe policia po heton edhe disa pista të reja që ndërlidhen me këtë rast.

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot vendin ku ka ndodhur shpërthimi.

Kurti tha se sulmi kishte qëllim cenimin e sigurisë kombëtare dhe jetës normale në Kosovë.

Sulmi dhe shpërthimi i mbrëmshëm kishte për qëllim dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike dhe rrjedhimisht cënimin e sigurisë kombëtare dhe defunksionalizimin e jetës normale në vendin tone”, ka thënë Kurti.

Kurti konfirmon se ka të arrestuar në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë në vendin ku ka ndodhur shpërthimi në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Kryeministri është i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Nga ky sulm terrorist e kriminal që ka dëmtuar strukturën kritike, me qenë se ka dëmtuar rënd edhe prodhimin e energjisë elektrike edhe furnizimin me ujë. Duke ju falënderuar punën vetëmohuese të policëve, të inxhinierëve të ekspertëve, të punëtorëve kemi arritur që, deri diku, ta sanojmë dëmin, ndonëse  jemi diku diç më shumë se çereku i prurjeve normale të ujit nëpërmjet kanalit Ibër-Lepenc, i cili bën edhe ftohjen e termoelektranave në Obiliq edhe furnizimin me ujë të qytetarëve të shumë komunave përfshirë edhe një pjesë të Prishtinës”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit para medieve ka thënë se policia ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës.

“Policia po i zhvilllon jetimet ka kryer bastisjet ka edhe arrestime, deshmi e provës materiale dhe të gjithë këta kriminel e terrorist do të përballen me drejtësinë e fuqin e ligjit. Ky ishte sulmi i tretë kishte edhe dy sulme të më hershme në 72 orët e fundit. Këto sulme janë kryer nga profesionist. Unë e pash në vëndin e ngjarjes nuk ka mundësi këtë ta bëjë një individ a dy nuk ka mundësi as qytetar të zakonshëm e ka bërë një organizatë që është profësioniste në sulme të tilla terroriste”, ka thënë Kurti.

Pas shpërthimit kryeministri Kurti u shpreh se shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike.

Kryeministri Kurti, pas shpërthimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenc, në Zubin Potok, ka thënë se atje po bëhet një punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona, të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar atje.

Arrestime në lokacione të ndryshme në veri të vendit, dyshohen në lidhje me rastin e mbrëmshëm

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në lokacione të ndryshme të veriut të vendit në Zubin Potok si dhe në Leposaviq.

Burime të medias bëjnë të ditur se ata dyshohen se kanë qenë pjesëmarrës të sulmit të kanalit të Ibër-Lepencit.

Ndryshe, mbrëmë në Ibër- Lepenc të Zubin Potokut është hedhur një mjet shpërthyes ku si pasojë, është dëmtuar një pjesë e kanalit dhe është ndërprerë edhe furnizimi me ujë të pijshëm.

Autoritetet në Kosovë thanë se për shkatërrimin e kanalit të ujit në Ibër-Lepenc janë përdorur 15 kilogramë eksploziv.

Lidhur me këtë, pati reagime nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të cilat e dënuan këtë sulm.

Në një konferencë urgjente, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky sulm është terrorist dhe i organizuar nga bandat kriminale të mbështetura nga Beogradi zyrtar.

Sulmet në Zveçan e Ibër Lepenc, policia thotë se po vazhdon hetimet për identifikimin e arrestimin e të dyshuarve

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka njoftuar se në lidhje me sulmet në Zveçan e Ibër Lepenc, policia  po vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

Ai tha se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, sot në veri të vendit është duke u realizuar një operacion policor i cili përfshinë disa lokacione.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, pas sulmeve të fundit me granata ndaj stacionit policor dhe Komunës, si dhe sulmit kriminal terrorist të ndodhur në veri të vendit, gjegjësisht te kanali i Ibër Lepencit, ka vazhduar me hetime intensive drejt ndriçimit të rastit, identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar”.

“Si rezultat i kësaj, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, sot në veri të vendit është duke u realizuar një operacion policor i cili përfshinë disa lokacione. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen të ditura informacionet shtesë”, tha tutje Kelani.

Arrestohet një person në Leposaviq, policia po kryen bastisje pas sulmit në Ibër-Lepenc

Nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës në veri të vendit, në komunën e Leposaviqit një person është arrestuar.

Burime të medias bëjnë të ditur se në këtë komunë dyshohen se mund të ketë persona që janë të ivoluar në rastin e hedhjes së mjetit shpërthyes në kanalin e Iber-Lepencit në Zubin Potok.

Ndryshe, në veri të vendit është duke u zhvilluar aksion i forcave të Policisë së Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Po, është duke u zhvilluar aktivitet i bastisjes nga ana e policisë dhe tani për tani nuk mund të them asgjë më shumë”, ka thënë në një përgjigje të shkurtur Elshani.

Ndryshe, sipas ekspertëve të Policisë në vendin e ngjarjes është gjet armatim e materiale për prodhimin e eksplozivit

Gjenden armë dhe nitroglicerinë në Zubin Potok

Policia e Kosovës është duke zhvilluar bastisje në Zubin Potok, ku në një lokacion kanë gjetur sasi armatimi dhe nitroglicerinë [kjo e fundit përdoret për prodhimin e eksplozivëve}.

Burimet e medias kanë bërë me dije se do të ketë edhe bastisje të tjera të vazhdueshme dhe që ndërlidhen me shpërthimin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.

​Aksion i madh i policisë në rajonin e Zubin Potokut

Aksion i forcave të Policisë së Kosovës është duke u zhvilluar në këto momente derisa po raportojmë në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut.

Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

"Po, është duke u zhvilluar aktivitet i bastisjes nga ana e policisë dhe tani për tani nuk mund të them asgjë më shumë", ka thënë shkurt Elshani.

Nuk dihet nëse nga ky aksion është arrestuar ndonjë person ose është gjetur armatim.

Aksioni po zhvillohet pas shpërthimit të mbrëmshëm në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Bandat kriminale me mbështetje të Beogradit zyrtar thuhet se janë prapa këtij shpërthimi në veri të vendit.

Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat