Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka tha se pas sanimit të përkohshëm të dëmeve pas shpërthimit mbrëmë, qytetarët sot mund të furnizohen me ujë të pijshëm por në sasi të limituar.
Mujka tha për KosovaPress, se kushtet atmosferike po e pengojnë punën në sanimin e dëmeve.
Sipas tij, riparimi i pasojave të shkaktuara dje nga shpërthimi mund merr kohë deri në një javë.
Mujka: Duhet të vazhdojmë me sanimin e dëmeve për të siguruar ujë të pijshëm
“Situata është, sanimin që e kemi bërë dje, është në rregull. Por, tash duhet të vazhdojmë me hapin tjetër sanimin e komplet dëmit për të mundur të jepet shërbimi i plotë edhe për ujë të pijes për t’i furnizuar edhe kompanitë regjionale të ujësjellësit…Kushtet atmosferike janë tepër të rënduara me borë dhe shi dhe po shpresojmë që ta mbajmë mirë edhe sot. Mandej edhe kushtet atmosferike ndoshta na lënë që të merremi me seriozisht”, tha Mujka.
Mujka tha se nga kanali që është improvizuar nga punimet mbrëmë mund të furnizohen racionalisht me ujë të pijshëm kompanitë regjionale të ujësjellësve, për çka theksoi se nuk do të mund të përmbushen të gjitha kërkesat për furnizim.
“Me këtë kapacitet çka e kemi vetëm duhet pasur një lloj llogaritje më të mirë, që të mund t’ua shpërndajmë të gjithëve nga pak, që mos të mbetet askush pa ujë. Me këtë sasi çka e kemi të mundshme të mund ta përcjellim në kanalin e improvizuar, duhet atë ta shpërndajmë ndërmjet KEK-ut dhe ujësjellësve. [A mund të ketë sot furnizimit me ujë të pijshëm?] Unë mendoj që munden nga pak, porse nuk mund të përmbushen të gjitha nevojat. Do të ketë sesione dhe krejt varet prej menaxhimit të sesioneve”, theksoi Mujka.
Mujka tha se aktualisht gjendja në Ibër-Lepenc është e qëndrueshme, derisa potencon se sanimi i dëmeve mund të marrë kohë deri në një javë.
Ndërkaq, lidhur me furnizimin me ujë në KEK, Mujka thotë se zgjidhja e tanishme është vetëm e përkohshme.
Mujka: Sanimi i dëmeve mund të merr kohë deri në një javë
“Kjo është zgjedhje e përkohshme për të cilën duhet ta mirëmbajmë derisa nuk mund të bëjmë diçka më mirë…Aktualisht situate është e qëndrueshme…[Sa kohë mund të merr sanimi?] Krejt varet nga metoda të cilën e përzgjedhim por një javë po”, tha Mujka.
Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.
Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorportata Energjetike e Kosovës.