PDK dënon sulmin në Ibër Lepenc, Krasniqi: Komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë presion Serbisë

Aktuale

PDK dënon sulmin në Ibër Lepenc, Krasniqi: Komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë presion Serbisë

Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 13:38
Memli Krasniqi

Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër sulmin terrorist, i cili dëmtoi kanalin kryesor të Ibër Lepencit.

E kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi ka thënë se ky sulm, bashkë me dy sulmet e tjera me granata ndaj institucioneve komunale në Zveçan gjatë ditëve të fundit, tregon për një sulm të organizuar ndaj Kosovës dhe kërkon angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve shtetërore.

“Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmin terrorist që ka dëmtuar kanalin e Ibër Lepencit, gjë që ka shkaktuar pasoja të rënda për furnizimin me ujë të qytetarëve në rajonin e Mitrovicës, rajonin e Prishtinës dhe më gjerë. Ky sulm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, pas dy sulmeve të tjera me granata ndaj institucioneve komunale në Zveçan gjatë ditëve të fundit, tregon për një sulm të organizuar ndaj Kosovës dhe kërkon angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve shtetërore”, ka shkruar Krasniqi.

Ndër të tjera, ai thotë se ‘sot për sot, prioriteti kryesor është kthimi i normalitetit për qytetarë. Riparimi i të gjitha dëmeve, rikthimi i furnizimit me ujë dhe sigurimi i të gjithë infrastrukturës kritike kudo në Kosovë, ashtu që akte të tilla të mos ndodhin më’.

Po ashtu, ai u ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i dënojnë rëndë këto veprime e të ushtrojnë presion ndaj Serbisë.

“Ky sulm kërkon hetim, zbulim dhe dënim maksimal të të gjithë të përfshirëve në të. Kërkon mobilizim të të gjitha organeve të sigurisë dhe të drejtësisë të vendit tonë, që krahas sigurimit të infrastrukturës kritike, të zbardhin sa më parë rastin dhe t’u japin përgjigje pyetjeve të shumta të cilat sot shqetësojnë secilin qytetar të vendit tonë. Qytetarët sot kanë nevojë për transaprencë, informim dhe llogaridhënie. Me këtë rast, i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë rëndë këto veprime, të ushtrojë presion ndaj Serbisë dhe të ndihmojë në zbulimin e këtij akti që cenon sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por të mbarë Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Krasniqi.

“Mirënjohje të veçantë ndaj të gjitha mediave për raportimin e tyre të ndershëm dhe të guximshëm. Në këtë moment, gazetarët meritojnë mbështetjen e secilit për të informuar të pavarur dhe pa presion. Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon përkushtimin e saj të parezevervë për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat