Rashiq i gatshëm të përfshihet në hartimin e draft-statutit të Asociacionit, pret dinamikë të re në dialog

Aktuale

Rashiq i gatshëm të përfshihet në hartimin e draft-statutit të Asociacionit, pret dinamikë të re në dialog

Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 14:03
Nenad Rashiq

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq thotë se është i gatshëm të përfshihet në një grup punues për hartimin e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, deri tani nuk është formuar një grup i tillë për shkak se Bashkimi Evropian po insiston se drafti i Asociacionit duhet të bëhet në kuadër të dialogut dhe jo njëanshëm nga Kosova. Megjithatë, Rashiq është optimist se do të gjendet një zgjedhje për të dal nga ngërçi aktual në dialog, madje shton se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, pret të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim.

Rashiq në një intervistë për KosovaPress, deklaron se mungesa e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, është edhe për fajin e Bashkimit Evropian.

Rashiq: Jam i gatshëm për të dhënë kontribut për hartimin e një draft-statuti të Asociacionit

“Nëse nesër kryeministri formon një grup (punues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit), normalisht se unë do të isha pjesë e atij grupi. Por do të kisha kërkuar një periudhë kohore sa i përket angazhimit të ekspertëve. Ata të cilët mund t’i përdorim dhe që kanë eksperiencë më shumë sesa unë në aspketin ligjor. Po ashtu, edhe përgatitja sa i përket temave që kanë qenë të trajtuar deri tani siç është Asociacioni...04:44 Nëse duhet të bëhet një gjë e tillë duhet të specifikojmë saktë dhe duke llogaritur përgatitjen e një statuti të Asociacionit, si një prej temave më delikate aty. Deri në këtë moment ne nuk kemi bërë një gjë të tillë, jo që nuk kemi dashur diçka të bëjmë, por Brukseli në mënyrë eksplicite ka thënë se nuk do të ketë përgatitje të tillë nga Kosova”, thotë ai.

Përkundër kësaj, Rashiq e sheh si zgjidhje edhe mundësitë që Kosova të dërgojë për shqyrtim draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga BE-ja në Gjykatën Kushtetuese.

Ai thekson se e ka lexuar draft-statutin dhe se në bazë të tij nuk ofrohet një pushtet i tretë ekzekutiv për komunitetin serb në Kosovë.

Megjithatë, Rashiq thotë se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Rashiq: Nuk e shoh që draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja ofron pushtet ekzekutiv për serbët

“Unë nuk e shoh sikurse e thoni ju (për krijimin e një pushteti të tretë) nëse ai drafti është autentik dhe është ai që qarkullon. Unë nuk e shoh nivelin e tretë të pushtetit. Gjithmonë po potencohet prapë elementi apo siguresa që thotë se cilado marrëveshje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, shton Rashiq.

Sipas tij, momentumi i duhur për progres në dialog është viti 2025, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Rashiq: Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit pres dinamikë të re në dialog

“Dinamika e zbatimit të (marrëveshjeve) deri tani nuk ka qenë ndonjë element që mundemi me lavdëruar. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e Kosovës, por po ashtu unë e konsideroj se tre palët e kanë një përgjegjësi ekuivalente. Mendimi jem është se kur të vjen koha për zbatimin gjithëpërfshirëse ajo duhet të ndodh në një pako. Jam i sigurt se pas zgjedhjeve do të kemi një dinamikë të re sa i përket marrëveshjes dhe negociatave. Atëherë është më mirë që të përdoret momentumi vitin e ardhshëm apo në vitin 2026 që të përfundohen proces (i dialogut)”, thekson Rashiq.

Rashiq adreson kritika edhe ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për qasjen destruktive në dialog.

Sipas tij, Vuçiq është i paparashikueshëm, derisa tregon në detaje luftën speciale që ai po i bën secilit që mendon ndryshe për Kosovën.

Ministri nga komuniteti serb, thotë se edhe themelimi i një prokurorie speciale për Kosovën dëshmon një gjë të tillë.

Rashiq: Vuçiq po lufton secilin që mendon ndryshe nga komuniteti serb në Kosovë

“Ai njeri(Vuçiq) e demanton vetveten e tij brenda 15 minutave. Në një moment thotë ne po duam veç me bashkëpunu, në anën tjetër thotë jo s’po bashkëpunojmë. Ai është një person kontrovers i cili çdo lëvizje dhe veprim e bën për shkak të pushtetit në Serbi. Atje ka krijuar një regjim hibrid i cili është kaq ekstrem... Qoftë unë, bashkëpunëtorët e mi apo anëtarët e familjes sime që çdo herë që ka nevojë të shkojë në serbi qoftë në hyrje dhe dalje janë mbajtur deri në katër orë. Kjo është luftë speciale dhe maltretim i qëllimshëm për të na kërcënuar të gjithë neve që mendojmë ndryshe. Ky është kulmi pasi ata tash me ligj po dëshirojnë të përgatisin një dokument që edhe atëherë përmes ligjit që secili që ka thënë diçka me shtetësinë e Kosovës potencialisht është i pandehur atje. Besoj se një gjë e tillë nuk do të ndodh, pasi sendet që i thotë Vuçiq 90 për qind janë të pavërteta. Kam shpresë se kjo do të parandalohet dhe bllokohet nga faktori ndërkombëtarë”, përfundon Rashiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat