Sulmi në Ibër Lepenc, KEK-u njofton se operimi i termocentraleve është stabil

Aktuale

Sulmi në Ibër Lepenc, KEK-u njofton se operimi i termocentraleve është stabil

Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 14:40
Ilustrim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit, nga ku furnizohet Termocentrali (TC) Kosova B, janë ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

-KEK, Ministria e Ekonomisë, dhe Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike janë takuar për të analizuar situatën e furnizimit me ujë për operimin e termocentralit dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike;

-Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, KRU Prishtina (në koordinim me të gjitha KRU-të), janë mobilizuar me pajisje si autobote (cisternat e ujit) për të siguruar furnizimin e termocentralit me ujë në rast nevoje dhe për të garantuar rezervat e nevojshme të ujit;

-Po vazhdon koordinimi i ngushtë me zyrtarët e Ibër Lepencit për mbarëvajtjen e sanimeve dhe riparimeve;

-KRU Prishtina kanë njoftuar se kapacitetet e destinuara nga ky kanal për Mitrovicën dhe Prishtinën mund të sigurohen nga burime të tjera, duke na siguruar që kapaciteti prej Iber Lepenci do të shfrytëzohet vetëm nga KEK;

-Ibër Lepenci ka vendosur gjashtë gypa (me diameter 900mm) që mund të furnizojnë sasinë e nevojshme për funksionimin normal të dy njësive të TC Kosova B.

KEK njofton gjithashtu se përkundër situatës emergjente të krijuar nga sulmi terrorist, operimi i termocentraleve vazhdon normalisht dhe menaxhimi i furnizimit me energji elektrike është stabil dhe i qëndrueshëm.

“KEK po vazhdon të operojë me dy njësi të TC Kosova B dhe dy njësi të TC Kosova A, të cilat nuk janë prekur nga mungesa e ujit nga kanali. Po ashtu, në rast nevoje, KEK ka siguruar kapacitetin prej 150 MË nga KESH, i cili do të shfrytëzohet për të mbështetur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike. Korporata Energjetike e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, po vazhdon angazhimet për normalizimin e gjendjes, duke përfshirë edhe institucionet e tjera përkatëse. Të gjitha palët janë të angazhuara në koordinim të ngushtë dhe po punojnë pa ndërprerje për të minimizuar ndikimet dhe për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm me ujë për TC Kosova B dhe me energji elektrike për qytetarët dhe sektorët e tjerë të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat