Shpërthimi i djeshëm në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku si pasojë u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit që furnizon një pjesë të madhe të vendit me ujë të pijshëm dhe termocentralet është sulm terrorist i organizuar nga Serbia, thotë njohësi i sigurisë, Hajrullah Tërnava. Sipas tij, Kosova duhet të rishqyrtojë zotimin për dërgimin e FSK-së në veri.
Sipas tij, Policia e Kosovës duhet të forcojë sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike, si ura, trafo-stacione, antena, liqene, kanale pasi mund të ketë përsëritje të sulmeve të tilla.
Përkitazi me këtë ai kërkon nga institucionet e Kosovës që në koordinim me aleatët të rishqyrtojnë vendimin e vitit 2013 që FSK-ja të shkojë në veri edhe pa pëlqimin e KFOR-it.
Tërnava: Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit është sulm terrorist
“Të gjitha ato janë veprime terroriste. Ne duhet të zbulojmë se kush janë ata. Kryerësit e këtyre veprimeve janë të përgatitur për të njëjtat dhe si t’i përfundojnë e ndërrojnë vend qëndrimin e tyre dhe ikin për Serbi. Pastaj vijnë të tjerët, pasi përgatitja e tyre është në këtë formë në grupe për me qenë në mënyrë permanente”, thotë ai.
Krahas kësaj, ai deklaron se sulmet e njëpasnjëshme ditëve të fundit në veri po ndodhin për shkak të shtrirjes së sovranitetit në katër komunat veriore.
Tërnava: Sulmet në veri po ndodhin për shkak të shtrirjes së sovranitetit të Kosovës
“Situata e tillë është mjaft e tendosur, sidomos në pjesën e veriut të Kosovës. Kjo për shkak se Kosova ka shtrirë sovranitetin e vet në gjithë ato pjesë, Leposaviç, Zvecan, Zubin Potok dhe Mitrovicën e veriut. Në katër komunat serbe është shtrirë sovraniteti. Ata për me i dëshmu popullit të vet se na nuk lëshojmë dorë prej Kosovës...Nuk e dorëzojmë Kosovën dhe bëjmë aso veprime sikurse që ishte në Zubin Potok”, shton Tërnava.
Sipas tij, Policia duhet të jetë në gatishmëri të lartë për arrestimin e përgjegjësve të sulmeve të tilla në veri.
Ai kërkon që të forcohet siguria rreth objekteve të shërbimeve kritike që ka Kosova.
Tërnava: Policia të jetë në nivel gatishmërie
“Policia gjithsesi e ka urdhrin që me qenë në gatishmëri dhe me intervenu. Policia dhe FSK-ja ish dashtë me qenë në nivel të gatishmërisë maksimale. Prandaj po them se për veprime të tilla që ndërmerr Serbia në pjesë të territorit të Kosovës, institucionet tona duhet të jenë të vëmendshme dhe gatishmëri të plotë. Kjo do të bënte që nëse ka nevojë për një moment të shkurtër me intervenu”, deklaron ai.
Përkitazi me këtë, Tërnava e sheh të domosdoshme që të rishqyrtohet zotimi i Kosovës karshi NATO-s për prezencën e FSK-së në veri të Kosovës.
Tërnava: Duhet të rishqyrtohet zotimi karshi NATO-s për prezencën e FSK-së në veri
“Gjithsesi duhet të rishqyrtohet. Koha ka me tregu dhe dëshmu se ka me ardh ai (moment)” , thekson Tërnava.
Në orët e mbrëmshme të së premtes ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të Zubin Potokut ku si pasojë u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit që furnizon një pjesë të madhe të vendit me ujë të pijshëm dhe termocentralet.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi se lidhur me këtë sulm ka të arrestuar dhe prova materiale. Sipas tij, kriminelët do të dalin para drejtësisë dhe do të përballen me fuqinë e ligjit.
Pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, reaguan autoritetet vendore e ambasadorët e QUINT-it. Përveçse e dënuan sulmin, ambasadorët shprehën mbështetjen e vendeve të tyre për Kosovën dhe kërkuan që autorët e sulmit të dalin sa më shpejt para drejtësisë.