Kryeshefi i Ndërmarrjes Ibër-Lepenc, Faruk Mujka, thotë se uji i kësaj Ndërmarrje është i patrajtuar dhe asnjëherë nuk është përdorur për pije.
Mujka reagimin e MSh-së, e ka cilësuar të pakuptimtë, pasi që sipas tij, përderisa uji nuk është i konsumueshëm nuk ka nevojë për panik.
“Uji i Ibër-Lepencit është ujë i patrajtuar, do të thotë trajtimi i ujit bëhet nëpër kompanitë regjionale të ujësjellësit. Për mua ka qenë pak e pakuptimtë ky reagim, sepse uji i Ibër-Lepencit asnjëherë nuk ka qenë i pijshëm, sepse është i patrajtuar dhe si i tillë furnizohet kompanitë regjionale”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai bëri të ditur se qytetarët dhe operatorët ekonomikë nuk do të mund ta hetojnë problemin me furnizim të ujit, pasi që po punohet dhe problemi do të rregullohet në tërësi.
“Ne kemi vendosur mbrëmë gjashtë tube me diametër 900mm, të cilët bëjnë të mundshëm 3 metra kub në sekondë qarkullimin e ujit që mendoj se është mëse i mjaftueshëm për furnizimin e rregullt edhe të KEK-ut edhe të ujësjellësve. Normal … një pjesë është e dëmtuar dhe në ditët e ardhshme normal që pritet një sanim i tërësishëm i saj. Mirëpo, nuk do të humbet funksionaliteti i saj. Qytetarët dhe operatorët ekonomikë nuk do të mund ta hetojnë se po punohet dhe po rregullohet në tërësi kjo infrastrukturë”, tregoi Mujka.
Kryeshefi i Ndërmarrjes tha se dëmi ka qenë i madh, por njëkohësisht edhe reagimi dhe organizimi i ekipeve të terrenit.
“Shkaku i eksplodimit dëmi është më të vërtetë shumë i madh, dëmi ka qenë i paparaparë dhe ka pasur tendencë krijimin e shqetësimit dhe panikut e besa edhe të një kaosi energjetik e ekonomik. I kemi zhgënjyer goxha shumë me organizimin tonë të shpjetë, efikas dhe besoj që shumë shpejt çdo gjë do të jetë në rregull”, shtoi ai.
Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme ka njoftuar se uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit është i papijshëm pas shpërthimit të premten mbrëma.
Në një njoftim në Facebook, MSH-ja ka thënë se sipas analizave të bëra ka dalë që uji nuk është për momentin i pastër për pije.
“Sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije, ndërkohë që përveç analizave mikrobiologjike dhe atyre bakteriologjike, IKSHPK/QRSHP Mitrovicë, do të analizojë edhe paramatra të tjerë që kanë të bëjnë me praninë e metaleve në ujë”, thuhet në njoftim.