Ndonëse krimet e luftës hyjnë në kategorinë e veprave penale që nuk parashkruhen dhe nuk vjetërsohen, kalimi i viteve e vështirëson në masë të konsiderueshme vënien para përgjegjësisë së autorëve të krimeve të luftës së fundit në Kosovës. Kështu ka thënë avokati Ardian Bajraktari.
Bajraktari ka kërkuar nga organet ligjzbatuese që të punojnë me intensitet të lartë në zbardhjen e rasteve të këtyre krimeve, teksa ka theksuar edhe nevojën e një angazhimi më të madh nga ana e tyre si dhe bashkëpunim edhe me autoritetet ndërkombëtare.
“Dëshmojnë që organet e zbatimit të ligjit, përfshirë prokurorinë dhe policinë, po veprojnë në drejtim të përgjegjësisë së krimeve të luftës, për faktin se kanë kaluar kaq kohë edhe natyrisht koha është një armik i pa dukshëm në drejtim të zbardhjes të rasteve të tilla, mirëpo këto situatat ka qenë komplekse, për faktin që për një periudhë të gjatë kohore këto çështje kanë qenë përgjegjësia e autoriteteve ndërkombëtare, fillimisht UMNIK-ut pastaj edhe ELUX, nga vitin 2018 institucionet e Kosovës kanë pasur përgjegjësi të plotë, mirëpo kur kemi parasysh faktin që kemi të bëjmë me një fqinjë tonë verior i cili nuk ka gatishmëri e as vullnet pothuajse fare për të bashkëpunuar me autoritet tona për të vendosur drejtësi për të zbardhur këto raste, natyrisht që e bënë situatën edhe më komplekse”, ka deklaruar Bajraktari.
Një aspekt tjetër që Bajraktari thekson është rëndësia e zbardhjes së krimeve të luftës në lidhje me integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.
“Megjithatë edhe për kundër vështirësive organet e zbatimit të ligjit po kryejnë detyrat e tyre, së fundmi kemi shtim të kapaciteteve brenda Policisë së Kosovës, kemi të themeluar edhe institutin për dokumentimin e krimeve të luftës me ligj të posaçëm. Në këtë drejtim, bëj ftesë për çfarë do informate që kanë ta drejtojnë tek organet tona në mënyrë që ajo të ndihmojë sa më shumë në zbardhjen e rasteve të tilla”.
Tutje, avokati ka ritheksuar se angazhimi i institucioneve të Kosovës e bashkëpunimi me autoritetet ndërkombëtare, është e nevojshme për të çuar përpara procesin e integrimit të Kosovës dhe për të ndihmuar në vënien para përgjegjësisë autorët e krimeve të luftës.
“Pavarësisht faktit që krimet e luftës hynë në kategorinë e veprave penale, që nuk parashkruhen dhe nuk vjetërsohen në kuptimin e ligjit, kalimi i viteve e vështirëson në masë të konsiderueshme adresimin në përgjegjësi tashmë kemi edhe Kodin e Procedurës Penale, le të themi që mundëson gjykimin në mungesë dhe kemi viteve të fundit numër të konsiderueshëm të aktakuzave të ngritura por çka pres natyrisht që edhe në ditët në vijim të kemi të tjera sikundër që kemi edhe gjykimin e këtyre veprave dhe kryerve, por ajo çka mbetet që me u adresuar në mënyrë më të mirë, është përshkrimi faktik ose përshkrimi më i hollësishëm i gjithave aktiviteteve veprimeve inkriminuese që i kanë bërë qoftë kryesit qoftë ekzekutorët, qoftë urdhërdhënësit e këtyre veprave penale”, u shpreh Bajraktari.
Një aspekt tjetër që Bajraktari thekson për Eo, është rëndësia e zbardhjes së krimeve të luftës në lidhje me integrimin e Kosovës në strukturat Euro-Atlantike.
“Pres që të vazhdohet me intensitetin e punës siç është pse jo të mos kemi shtim të intensitetit si dy vende nuk mund të lëvizim tutje në drejtim të strukturave euroatlantike, dhe ku synojmë dhe ku do të duhej të ishim pa zbardhjen e asaj se çka ka ndodhur, natyrisht zbardhja e këtyre ngjarjeve nënkupton që vënie para përgjegjësisë e të gjitha atyre që kanë kryer masakra e krime gjatë luftës në Kosovë ndaj popullatës civile”, ka theksuar ai.