Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha se furnizimi me ujë po kthehet në normalitet në pjesët e prekura të vendit nga një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit, ndërmarrjes publike për furnizim me ujë, në veri të vendit, për të cilin autoritetet kosovare e akuzuan Serbinë.
"Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ilbër Lepencit po kthehet në normalitet", tha ajo në Facebook të dielën.
Ibër-Lepenci e rifilloi punën për furnizimin e fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës të shtunën në orët e vona, një ditë pasi kanali i saj në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut u dëmtua nga shpërthimi i cilësuar si "sulm terrorist" nga autoritetet kosovare.
Rizvanolli tha se furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit filloi mbrëmë vonë.
Ajo shtoi se të dielën uji është lëshuar edhe për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj.
"Brenda pak orësh pritet të normalizohet furznimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit", theksoi ajo.
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Sipas Rizvanollit, prurjet e ujit në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë arritur nivele optimale për furnizim me ujë të termocentralit Kosova B.
Shpërthimi ndaj kanalit në Varragë nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit që rrezikoi furnizimin me ujë dhe rrymë në një pjesë të madhe të vendit.
Autoritetet kosovare reaguan shpejt për t’i ndrequr dëmet përkohësisht, duke vendosur gjashtë gypa brenda kanalit për ta mundësuar vazhdimin e furnizimit më ujë nga ky kanal.
Paraprakisht të shtunën, Kompania e ujësjellësit e rajonit të Mitrovicës, KRU Mitrovica, njoftoi se kishte rifilluar furnizimin me ujë të pijshëm në mënyrë të kufizuar.
Banorë nga një pjesë e Mitrovicës së Jugut u ankuan se kishin mbetur pa furnizim me ujë nga ora 22:00 të premten, si pasojë e këtij sulmi për të cilin autoritetet kosovare e fajësojnë Serbinë.
KRU Mitrovica funksionin si ndërmarrje publike dhe i furnizon me ujë komunat si Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut pjesërisht, Zveçanin, Vushtrrinë dhe Skenderajn, sipas uebsjatit të kompanisë.
Në rrjetin e saj janë të kyçur mbi 100.000 banorë nga këto rajone.
Mbrëmjen e së shtunës, ministrja Rizvanolli tha në Facebook se autoritetet në bashkëpunim me kompani rajonale për furnizim me ujë, kishin sjellë autobotë me ujë në disa komuna, për të ndihmuar në furnizimin e vendeve të prekura pas sulmit.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për "sulm kriminal dhe terrorist" në Ibër-Lepenc, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare.
Autoritetet kosovare njoftuan të shtunën vonë se tetë të dyshuar janë arrestuar gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.
Sulmi u dënua nga bashkësia ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë që e cilësuan si “akt terrorist”/REL