Akti terrorist në Ibër Lepenc, ndërkombëtarët të ashpër ndaj autorëve përgjegjës

Aktuale

Akti terrorist në Ibër Lepenc, ndërkombëtarët të ashpër ndaj autorëve përgjegjës

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 12:00
Ibër Lepenc

Një shpërthim i rëndë ndodhur mbrëmjen e vonë të së premtes që e lëmë pas në Varragë të Zubin Potokut, dëmtoi kanalin e ujit të Iber Lepencit, nga i cili furnizohen me ujë disa komuna të vendit dhe jo vetëm.

Autoritet vendore kanë nisur hetimet për këtë akt të papranueshëm duke arrestuar tashmë tetë persona të dyshuar dhe konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri.

Në lidhje me këtë, ndër të parët që reagoi publikisht, qe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Ai dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar si një akt të papranueshëm dëmtimin e kanalit, thelbësor për furnizimin e Kosovës me ujë.

”Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal të ujit në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin e Kosovës me ujë dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës”, pohonte, Hovenier.

”Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.

Ndër tjera, ai dënonte edhe sulmet me granata që ndodhën në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e Komunës së Zveçanit më 28 nëntor.

”Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shprehin solidaritetin me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë sulmeve të tilla kriminale”.

Derisa edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u shpreh se bandat kriminale kanë humbur çdo betejë me institucionet e Kosovës, ndaj po veprojnë me përpjekje përmes akteve terroriste.

”Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës. Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste. Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike”.

Ajo madje u bënte thirrje gjithë qytetarëve për qetësi dhe maturi në këtë situatë.

”I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të këtij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”.

Të menjëhershëm pati reagimin edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili u shpreh se shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër Lepencit është një incident serioz.

Ai madje kërkoi hetim emergjent mbi këtë akt i cili është në dëm të infrastrukturës kritike.

”Incidenti i rëndë në Zubin Potok sonte ka pasoja potencialisht të rënda për furnizimin me energji dhe ujë të komuniteteve të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës. Duhet të hetohet shpejt për çdo sulm të qëllimshëm në infrastrukturën kritike”, deklaronte Hagreaves.

Aktin e dënonte rëndë edhe shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, i cili konfirmonte monitorimin e tyre mbi hetimet e shpejta për situatën.

”EULEX-i është i angazhuar në monitorimin e hetimeve të shpejta: autorët duhet të mbahen përgjegjës”, ka thënë Barbano.

Si pasojë e zhvillimeve, kryeministri Albin Kurti, doli me një adresim drejt popullit, duke shprehur bindjet e tij se sulmi në Ibër Lepenc u krye nga fqinji verior, Serbia.

Ai madje edhe në orët e para të mëngjesit të së shtunës, mblodhi Këshillin e Sigurisë në Kosovë, për të diskutuar hapat e mëtejmë të situatës, ku nga ky takim u vendos aktivizimi në terren i Policisë së Kosovës dhe Frocës së Sigurisë së Kosovës.

Tutje ai konfirmoi se do të takonte edhe komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.

Kurti deklaronte ndër tjera, se arsye që Kosova po sulmohet janë sukseset e saj të arritura.

Derisa shpërthimin në Ibër Lepenc, e dënonte edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.

Hamza, njëherit edhe kandidat për kryeministër nga radhët e PDK-së, qe për vizitë edhe në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur akti.

”Erdha në Varagë të Zubin Potokut, në vendngjarje, për ta parë nga afër gjendjen dhe dëmet e shkaktuara në kanalin ujor nga mjeti shpërthyes. E dënoj aktin dhe kërkoj nga institucionet e rendit dhe ligjit, që ta zbardhin sa më shpejt rastin dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë. Jam shumë i shqetësuar me ndërprerjen e furnizimit të ujit të pijes dhe pasojat në furnizimin me energji elektrike. Po ashtu, jam në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e vendit të përfshira në sanimin e dëmit dhe shpresoj të tejkalohet sa më shpejt kjo situatë”.

Aktin terrorist në Ibër Lepenc, e dënonte edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ndërsa shprehej se ky sulm prek të gjitha komunitetet në mbarë vendin.

“Bëjmë thirrje për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare”, ka thënë Rohde.

Ndërkohë, po vet Policia e Kosovës, doli me konfirmim zyrtar, se akti në Ibër Lepenc, ishte i qëllimshm dhe ishte kryer me eksploziv nga individ apo grup kriminal.

Presion mbi situatën nga ndërkombëtarët, kërkonte ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

Ajo në reagimin e saj, u kërkonte aleatëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, që të ndalonte organizimin e konfliktit në rajon.

Dënim të aktit, bëri edhe Ambasada e Italisë në Kosovë.

”Italia dënon me vendosmëri sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok, i cili ka prekur furnizimin me ujë dhe ka rrezikuar shtëpitë vendase. Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj hetimore për të kërkuar llogari nga përgjegjësit e këtij sulmi të neveritshëm”, thuhet në reagim.

Teksa hetim dhe që përgjegjësit e këtij sulmi të dalin para drejtësisë, ka kërkuar edhe Ambasada e Francës në Kosovë, ndërsa dënonte ashpër aktin në këtë kanal.

”Ambasada franceze dënon ashpër sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin-Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ky sulm duhet të hetohet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, thuhej në reagimin e ambasadës.

Shpërthimin në kanalin e ujit në Zubin Potok, e dënoi ashpër edhe Shqipëria.

Presidenti i saj, Bajram Begaj në një bisedë telefonike me presidenten, Vjosa Osmani, sipas zyrës për shtyp, dënonte ashpër aktet terroriste që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës.

”Zhvillova një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku dënova ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër Lepenc, që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës. Mbështes fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”.

Goditje kriminale e quante në një reagim të tij edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, shpërthimin e së premtes së në kanalin e Ibër Lepencit.

Ai kërkonte me ngulm që mbi këtë situatë, Bashkimi Europian të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu.

”Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mos dëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”.

E vet ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ndau shqetësimin e tij mbi situatën.

Derisa mbështeste reagimin e shefit të zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, Miroslav Lajçak, kërkonte që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

”Unë pajtohem plotësisht me Aivo Orav. Ata që janë përgjegjës për sabotimin e infrastrukturës kritike të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi”, shkruante Lajçak në X.

Sulmin e dënonte edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, duke thënë se pati një ndikim të rëndë në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në veri të Kosovës.

KFOR shtonte se është e rëndësishme të vërtetohen faktet dhe përgjegjësit për shpërthimin në Ibër-Lepenc dhe të sillen para drejtësisë.

”Është e rëndësishme që të vërtetohen faktet dhe që përgjegjësit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë”, thuhej në reagimin e tyre.

E derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mohonte përfshirjen e Serbisë në këtë akt, kryeparlamentari Glauk Konjufca u shpreh se tentativat e bandave të dirigjuara terroriste do të dështojnë.

Me një reagim dënues akti, doli edhe ambasada austriake në Kosovë.

”Dënojmë sulmin në kanalin Ibër-Lepenac. Kanali është thelbësor për furnizimin me ujë dhe për funksionimin e termocentralit më të madh të Kosovës. Ky sulm duhet të hetohet me shpejtësi dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”.

Me deklarata dënuese dolën edhe krerët opozitarë, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh se komuniteti ndërkombëtarë duhet t’i bëjë presion Serbisë në parandalimin e akteve të tilla.

Derisa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaronte se nuk ka shpërthim e as akt terrorist e as grup kriminal që mund të rrënojë shtyllat e Republikës së Kosovës.

Mirëpo kritik ndaj qeverisë mbi këtë situatë doli kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa kërkonte që institucionet e sigurisë të ndërvepronin me KFOR dhe prezencën amerikane.

Kurse reagim të rreptë pati edhe kryenegociatori i palës kosovare në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi.

Ai për situatën në Ibër Lepenc tha se i dyshuari i aktit terrorist në kanalin e ujit, është dora e djathtë e terroristit, Milan Radojiçiq.

Sulmin në Ibër Lepenc, e dënoi edhe Finlanda.

Ambasada e saj në Kosovë shprehej se po e monitorojnë situatën nga afër dhe janë me Kosovën në përpjekjet për të hetuar rastin.

”Ne dënojmë fuqishëm sulmin ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin e Kosovës me ujë dhe funksionimin e termocentraleve të saj. Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër dhe jemi me Kosovën në përpjekjet e saj hetimore”.

Këtë gjendje të krijuar në Ibër Lepenc dhe shpërthimin në kanal, e dënonte edhe UNMIK-u përmes një deklarate.

Derisa po tashmë ish-shefi i BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës.

”Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”.

Derisa ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, deklaroi në Klan Kosova se sulmi në veri kishte synim mohimin e shërbimeve esenciale dhe destabilizimin e vendit.

Teksa shprehej i bindur se pas sulmit në Ibër Lepenc, qëndrojnë mbetjet operative të grupit të Milan Radojiçiqit.

Ai megjithatë konfirmoi se akti ishte i planifikuar, ndërsa edhe paralajmëroi se akte të tilla mund të ndodhin përsëri.

Ndërsa edhe vet drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vlerësoi se sulmi në Ibër Lepenc ishte mirë i organizuar nga persona me njohuri për përdorim të mjeteve shpërthyese.

Kurse vet ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla adresoi akuza drejt Serbisë mbi aktin e së premtës në Ibër Lepenc.

”Kosova e mban përgjegjës, Beogradin zyrtar”, shprehej ai.

Ai tutje përmendi që emrat e të dyshuarve të arrestuar mbi sulmin, nuk i kanë bërë publik për arsye të mos dëmtimit të hetimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat