​Maqedonci flet për sigurinë në nivel vendi dhe gatishmërinë e FSK-së

Aktuale

​Maqedonci flet për sigurinë në nivel vendi dhe gatishmërinë e FSK-së

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 17:30
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për KosovaPress mbi gjendjen e sigurisë pas sulmeve të fundit në veri, angazhimin e FSK-së për të mbrojtur infrastrukturën kritike, si dhe mundësinë e dërgimit të kësaj Force në veri.

Në një përgjigje me shkrim, ministri Maqedonci ka thënë se pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, menjëherë pas sulmit terrorist në Zubin Potok, FSK-ja është angazhuar në patrullim dhe sigurim të pikave kyçe të infrastrukturës kritike.

Qindra ushtarë të armatosur kanë qëndruar përgjatë ditës së shtunë në pika të ndryshme në Obiliq dhe Vushtrri.

“Njësitë ushtarake të FSK operuan përgjatë kanalit të ujit në regjionet e Obiliqit, Vushtrrisë dhe Mitrovicës, si dhe në vëzhgimin e pendës së liqeneve artificiale duke kryer detyrat e tyre me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë në mbështetje të autoriteteve civile, në patrullime për të siguruar pikat kyçe të infrastrukturës kritike dhe duke qenë të gatshëm të përballemi me çdo lloj rreziku armiqësor apo sulmi terrorist janë angazhuar qindra ushtarakë të FSK-së dhe gjithashtu qindra të tjerë kanë qenë në gjendje gatishmërie në rast nevoje për angazhim shtesë”, tha ministri Maqedonci.

Ministri Maqedonci tregon se në rast nevoje, trupat e armatosura do të dërgohen edhe në veri.

“FSK është çdo herë e gatshme dhe e aftë të kryejë detyrat e saj sipas misionit kushtetues në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe në rast nevoje ashtu edhe do të veprojë, megjithatë sipas vlerësimeve dhe koordinimeve që kemi bërë në nivel të institucioneve dhe me komandën e KFOR-it, në këto rrethana nuk ka qenë i nevojshëm të ndërmerret një hap i tillë. Gjithsesi që nëse do të ndërmerrej do të bëhej në koordinim paraprakisht me aleatët tanë”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjatë patrullimit, Forcat e Sigurisë së Kosovës, nuk kanë hasur në diçka dyshuese.

“Situata është duke u monitoruar vazhdimisht me kujdes të shtuar dhe deri më tani nuk kemi vërejtur ndonjë element ose situatë të pazakontë në këto vende. Gjithsesi që ne jemi në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë dhe çdo individ apo grup terrorist do të merr ndëshkimin ligjor dhe përgjigjen institucionale të Republikës së Kosovës”, ka porositur Maqedonci.

Forca e Sigurisë së Kosovës mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë ushtarake multi-etnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me kompetencat e dhëna kushtetuese dhe ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat