Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin –Potokut të premten në mbrëmje duket se ka ndërlidhje me sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës.
Kurti ka thënë se më 28 nëntor Rusia kreu sulme në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
Në një konferencë për media të dielën, Kurti tha dëshmi për këtë ndërlidhje është se në mesin e pajisjeve dhe armëve të konfiskuara nga policia janë edhe emblema të njësive speciale ruse.
“Qëllim ka qenë që një pjesë e madhe e vendit tonë në dhjetor të mbetet pa ujë, pa energji dhe pa komunikim. Ky sulm duket që ka ndërlidhje me sulmet masive ajrore të federatës ruse kundër Ukrainës, sulme këto që ishin të orientuara pikërisht kundër infrastrukturës të energjisë në Ukrainë”, ka thënë Kurti, raporton teve1.info.
Kurti tha se pasojat nga sulmi i të premtes do të ishin marramendëse nëse do të arrinte qëllimin e tij, ku mijëra qytetarë do të mbeteshin pa furnizim me ujë e energji.
Ai ka thënë se sulmi do të kishte pasoja edhe në ekonomi.