Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i ka reaguar kandidatit të LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i cili përmes një videoje ironizuese tha se pushteti i VV-së për 4 vjet i shtroi dy kilometra rrugë.
Durmishi tha se gjatë këtij mandati të VV-së në qeveri janë shtruar mbi 450 kilometra rrugë në total, ku sipas tij, vetëm në veri janë shtruar mbi 65 kilometra dhe 100 të tjera janë në proces.
“Vetëm në veri të vendit kemi shtruar mbi 65 km rrugë me asfalt dhe 100 km janë në proces. Ndërkaq, ati yt politik, kryetari yt i nderit, si Kryeministër ka shkuar në atë pjesë vetëm për një përurim, madje urë, që ishte projekt i KFOR-it. Shkuarja për shkak të bandave kriminale ishte bërë nëpërmjet rrugëve malore madje”.
“Gjatë këtij mandati gjithsej kemi shtruar mbi 450 km rrugë në total dhe shumë të tjera janë në proces. Është hera e parë që ministria jonë ka financuar projekte në të gjitha komunat e Kosovës pa e diskriminuar asnjë komunë të vetme. Kjo asnjëherë nuk ka ndodhur më parë. 175 projekte të reja në komuna janë financuar nga ne”, shkroi Durmishi.
Tutje, Durmishi tha se brenda këtij mandati të VV-së në pushtet po përfundojnë rrugët Prishtinë – Podujevë dhe Prishtinë – Mitrovicë, të cilat sipas tij, kanë nisur më shumë se një dekadë më parë.
“Brenda këtij mandati kemi paguar shumë borxhe të trashëguara që mentaliteti i sojit të tij politik ja lanë vendit ku pa para të ndara niseshin projekte për fushatë. Gjetëm 347 milion euro kontrata të nënshkruara e buxhet vetëm 70 milion euro. Gjetëm borxhe për shpronësime në vlerë 184 milion euro”.
“Brenda këtij mandati, e kemi nisur e po ecë mbarë rruga Prishtinë-Pejë, ku vetëm në një aks i kemi shpëtuar 150 milionë euro. Na kanë vonuar shumë, por do t’ia dalim edhe në dy rrugë që pikërisht ai mentalitet i ka tërthuruar si mos më keq, rrugët Prishtinë-Gjilan dhe Dollc-Gjakovë”, shkroi tutje Durmishi.