Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, gjatë ditës ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Myftiu Tërnava fillimisht falënderoi ambasadorin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën.
“Ai tha se shqiptarët në përgjithësi, por populli i Kosovës në veçanti gjithnjë do të jenë falënderues dhe mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për atë çfarë kanë bërë për Kosovën. Më pas Myftiu Tërnava falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e tij dhe të Ambasadës Amerikane me Bashkësinë Islame të Kosovës në projekte të ndryshme, duke shprehur kështu gatishmërinë e tij dhe të institucionit të BIK-ut që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim e BIK-ut.
Nga ana e tij, ambasadori Hovenier, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për bashkëpunimin me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ai vlerësoi lart rolin dhe kontributin që ka dhënë dhe po jep Bashkësia Islame e Kosovës në kultivimin e vlerave të harmonisë, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare në vend, si dhe për përçimin e mesazheve për paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.
Myftiu Tërnava në fund të këtij takimi i uroi ambasadorit Hovenier shëndet dhe mbarësi në jetën e tij, si dhe i dhuroi një dhuratë me motive nga trashëgimia jonë e çmuar fetare.