SHBA: Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale është i pandryshuar, mbështesim punën dhe mandatin e saj

Aktuale

SHBA: Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale është i pandryshuar, mbështesim punën dhe mandatin e saj

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 17:43
Gjykata Speciale

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër inicimit të zhbërjes së Gjykatës Speciale.

Kështu ka thënënjë zëdhënës i ambasadës së ShBA-së në Kosovë, sipas të cilit “qëndrimi i ShBA-së për Gjykatën Speciale është i pandryshuar”.

“Qëndrimi i SHBA-së për Gjykatën Speciale është i pandryshuar: ne mbështesim punën dhe mandatin e gjykatës dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta lejojnë atë të vazhdojë punën e saj pa asnjë lloj ndërhyrjeje të jashtme”, tha ky zëdhënës.

Tutje në përgjigjen e ambasadës theksohet se Amerika e ruan mbështetjen e saj të fuqishme për punën e Speciales, të cilën e quajti thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit në vend dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.

“ShBA-ja ruan mbështetjen e saj të fuqishme për punën e Gjykatës Speciale të Kosovës si thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit në Kosovë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Disa reagime se Gjykata Speciale duhet të zhbëhet kanë nisur që nga e premtja e javës së kaluar, kur Dhomat e Specializuara ngritën aktakuzë të re kundër ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi, nën dyshimet se bashkë me Isni Kilajn, Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn e Hajredin Kuçin, kanë ndikuar në dëshmitarë.

Një iniciativë për zhbërjen e kësaj gjykate pati ndodhur edhe në 2018-ën, kur disa deputetë të pushtetit të asaj kohe patën iniciuar kërkesë në kuvend.

E njëjta kishte nxitur reagimin e ashpër të ambasadorit amerikan në Kosovë asokohe, Greg Delawie, i cili pati deklaruar se “ideja për ta ndryshuar ligjin e Gjykatës Speciale mund ta izolojë globalisht Kosovën. Ide e tmerrshme, mos e ktheni orën mbrapa”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat