Fatmir Matoshi nga Nisma ka deklaruar se cilado qoftë parti që do të qeverisë pas shkurtit të vitit të ardhëm, do të ketë punë sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Matoshi tha se pikë së pari qeveria e ardhshme duhet t’i bindë partnerët evropianë që draft-statuti që ata e kanë sjellë është i dëmshëm për Kosovën.
“Qeveria e ardhshme do të ketë punë për me i bindë partnerët tanë evropianë që draft-statuti që ata e kanë sjellë është i dëmshëm për Kosovën në disa nga pikat e saj. Nuk jam njëri prej atyre që them se nuk bëj kurrë Asociacion, ashtu siç ka thënë LVV-ja me vite të tëra dhe pastaj është zotuar, kanë vendos nënshkrime dhe janë zotuar se do ta bëjnë Asociacionin”, deklaroi ai në emisionin “Ditari”.
Sipas Matoshit, autoritetet kosovare duhet të zgjedhin një asociacion që nuk e cenon shtetësinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.
“Nëse Asociacioni derivon nga Pakoja e Ahtisaarit ne duhemi me zgjedh draftin, i cili nuk e cenon shtetësinë e Kosovës, rendin kushtetues. Nëse ai asociacion e avancon të drejtën e komuniteteve pakicë, ne duhet të jemi zemërgjerë që komunitetet pakicë në Republikën e Kosovës që banohet me shumicë shqiptare, atëherë pakicat nuk duhet t’i shohim ne si pengesë”, deklaroi.
Çështja e Asociacionit u riktualizua në fund të tetorit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se si shef i ekzekutivit të një republike demokratike nuk mund të formojë asociacione të komunave.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit më 2013 dhe një tjetër marrëveshje për parimet më 2015. Por, Qeveria e Kosovës refuzon të formojë, siç thotë, asociacion njëetnik, ndërsa Serbia insiston për zbatimin e marrëveshjes.