Fatmir Matoshi nga Nisma ka deklaruar se ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj i cili aktualisht ndodhet në Hagë do të jetë kandidat i tyre për deputet dhe se sipas tij nuk besojnë që do të pengohet për të garuar në zgjedhje.
Matoshi në emisionin “Ditari” ka thënë se Kilajn e kanë lënë në listë garuese dhe se nuk do ta heqin.
Ai po ashtu ka shtuar se koalicioni NISMA-AAK do t’i ketë 20 deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.
“Kemi bashkëpunim të mirë si koalicion, sot është përmbyllur lista, nuk e kemi dorëzuar në KQZ është kjo pjesa teknike, por ne do ta kemi një çështje që tash në këtë moment nuk kam përgjigje për këtë është çështja e Kilajt se ai është kandidat i yni për deputet e ne besojmë se ai nuk do të pengohet për të garuar në zgjedhje, e kemi lënë në listë garuese dhe nuk do ta heqim nga lista por këto detajet teknike nëse atij do t’i lejohet ose çështja e plotësimit të formularëve, formaliteteve mbetet për diskutim edhe në këto moment që ne po flasim por ajo do të marrë shpejt drejtim. Nuk kemi bërë prognozë se si do të jenë rezultatet, por ajo që sot dihet është që ky koalicion si tërësi do të jetë tek 20 deputetë”, është shprehur ai.
Ndërkaq për Lëvizjen Vetëvendosje Matoshi ka thënë se nuk e meriton të dalë e para dhe se sipas tij ka rënie të votave çdo ditë.
“Nuk mendoj që Vetëvendosje e meriton të dalë e para. E shoh që Vetëvendosje ka rënie të numrit të votave për çdo ditë. Absolutisht ka rënë përkrahja për VV-në. Ne po flasim për te 30 përqindëshi, nuk po flasim më për 50 përqindëshin se këtë punë e di edhe kryeministri..”, ka shtuar Matoshi.