Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e quajti për të ardhur keq situatën e javës së kaluar në Kuvend, ku deputetët e Listës Serbe u penguan të marrin pjesë në seancë nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për faktin se përfaqësuesit e komuniteteve, të cilët janë zgjedhur për të përfaqësuar interesat e njerëzve të tyre, pengohen t’i ushtrojnë këto detyra.
“Mendoj se ajo ishte për të ardhur keq. Në fund, askush nuk u duk mirë. Është për të ardhur keq nëse një seancë e Kuvendit pezullohet për atë që duket të jetë një përpjekje për të mos lejuar përfaqësuesit e zgjedhur të kryejnë funksionet e tyre. Nga ana tjetër, është gjithashtu shumë për të ardhur keq që përfaqësuesit e zgjedhur që janë atje për të promovuar interesat dhe për të çuar përpara interesat e popullit të tyre, zgjedhin të mos i ushtrojnë ato të drejta”, tha Hovenier në ATV.
Sipas tij kjo situatë nuk pasqyron aspiratat demokratike të synuara kur u negocionin dispozitat për përfaqësimin e pakicave.
“Ky nuk është gjithashtu premtimi i demokracisë që do të shpresonim të shihnim, sigurisht në kohën e Ahtisarit kur po negocionim dispozitat për vendet e caktuara për përfaqësuesit e pakicave në parlament. Shpresonim, prisnim që ata të përdornin kapacitetin e rolit të tyre si deputetë të Kuvendit për të trajtuar në mënyrë afirmative shqetësimet e komunitetit të tyre dhe për t’i avancuar ato. Kështu që e gjithë kjo gjë ishte për të ardhur keq”, tha Hovenier.
Po ashtu ambasadori është pyetur nëse do të ketë ndonjë ndryshim për Kosovën nën administratën e presidentit Donald Trump.
Ai theksoi se mbështetja e popullit amerikan për Kosovën është e vazhdueshme, pavarësisht ndryshimeve në administratën amerikane apo rezultatit të zgjedhjeve në SHBA.
Tutje nënvizoi se Kosova duhet të tregojë gatishmëri ndaj kërkesave të miqve, përfshirë SHBA-në, dhe të angazhohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.
“Populli amerikan e ka mbështetur vazhdimisht popullin e Kosovës”, tha Hovenier.
“Mund të them se mendoj që gjëja më e rëndësishme që Kosova të bëjë është të tregojë gatishmërinë e saj për të qenë e përgjegjshme ndaj miqve dhe partnerëve të saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke reaguar për disa gjëra specifike që i kemi kërkuar”, tha Hovenier.
Hovenier tha se zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit është i domosdoshëm për të forcuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe aleatët e saj.