Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është pyetur në lidhje me dërgimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës në pjesën veriore të vendit.
Ministri tha se kjo nuk është e mundur në këtë periudhë, si pasojë e zotimit ndërkombëtar që Kosova e ka bërë më 2013, i cili, sipas tij, flet edhe për mos dërgim edhe të kapaciteteve krejt civile që i ka ushtria.
Megjithatë, ai tha se qeveria, gjegjësisht kryeministri Albin Kurti dhe vetë ai si ministër, kanë diskutuar në vazhdimësi me NATO-s për të dërguar kapacitete të FSK-së në pjesën veriore të vendit.
“Edhe kryeministri, edhe unë, gjatë gjithë kohës sa ka pasur tensione dhe sulme të tilla në veri të vendit, ne i kemi paraqitur para komandantit të KFOR-it dhe në NATO kapacitetet e FSK-së të cilat mund t’i përdorim për të mbështetur aspektin e sigurisë”.
I pyetur nëse i është ofruar KFOR-i që FSK-ja të dërgojë ushtarët e xhenios në veri pas sulmit të fundit terrorist në kanalin “Ibër-Lepenc”, ai tha: “Jo, nuk ka ofruar. Ne jemi në gjendje gjithmonë të dërgojmë çfarëdo kapaciteti që kërkohet, por nuk na është kërkuar nga KFOR-i”.
Udhëheqësi i emisionit, e pyeti ministrin Maqedonci se a i ka shkruar qeveria letër KFOR-it për të shkuar në veri.
“Jo, për situatën e përgjithshme të sigurisë, sepse vlerësojmë që detyrë primare është e policisë së Kosovës, rendi dhe ligji. Në raste specifike, kryeministri po flet për një periudhë, një afat kohor, për një rast specifik, kur ne do të mund ta dërgonim, sikur të ishim të lejuar ta bënim këtë”, u shpreh ai.
Kelmendi insistoi tutje duke e pyetur: “Nëse po thuhet se për shkak të zotimit të pararendësit të tij, nuk po shkohet në veri, a ka bërë ky kryeministër ndonjëherë përpjekje zyrtare për të dërguar FSK-në në veri me një shkresë dërguar KFOR-it/NATO-s”.
“Ne në vazhdimësi e kemi ngritur këtë çështje sa herë kemi pasur takime me zyrtarë të NATO-s. Është diskutuar mundësia për të ofruar kapacitetet e FSK-së në veri të vendit për çështje të ndryshme. Nuk kemi kërkuar leje, por kemi diskutuar për çështjen ‘a mund të koordinohemi për të shkuar’. Normalisht që KFOR-i ka vlerësuar se ka kapacitete të mjaftueshme për të mbështetur policinë e Kosovës në veri, pa qenë e nevojshme përfshirja e FSK-së”.
“Por çka është me rëndësi për t’u pasur parasysh është fakti që FSK-ja me ligj, me mandat, është forcë që operon në të gjithë territorin e vendit tonë, përpos katër komunave veriore të vendit, ku normalisht ka mandat për të operuar, por kërkohet koordinim paraprak”, u shpreh ministri Maqedonci