Berisha: Lista e PDK-së për deputet s’ka kuptim pa Hisen Berishën, është boshe

Aktuale

Berisha: Lista e PDK-së për deputet s’ka kuptim pa Hisen Berishën, është boshe

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 23:44
Hisen Berisha

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, nuk ka dhënë përgjigje konkrete se a do të jetë pjesë e listës garuese të PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.

Por, për Berishën, ky subjekt politik do të ishte bosh dhe lista s’do të kishte kuptim në qoftë se emri i tij nuk do të figuronte aty.

“Nuk mund të jap përgjigje, por a jam a s’jam e tek jam, sepse s’është bërë publike lista. Mirëpo, besoj që s’ka kuptim lista e PDK-së pa Hisen Berishen, është e zbrazët, është bosh. Nuk është çështja që nuk na kanë njoftuar individualisht – nuk është bërë e ditur. Pastaj, unë nuk jam shumë kurioz ta di për ta marr vesh nëpër kaluare anësore se a do të jem, a s’do të jem. Sepse, nuk e shoh këtë dilemë. Unë mendoj se fakti që unë kam pasur qëllim që me e mbrojt Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, një amanet i atyre që kanë dhënë jetën për liri… ky ka qenë ligji para se unë të hy në politikë dhe ecjes së Hisen Berishes në politikë. Ky fakt dhe mënyra se si jemi sfiduar gjatë jetës parlamentare, besoj se është i mjaftuar jo vetëm për të fituar besimin e strukturave të partisë, por edhe të qytetarëve”, deklaroi ai.

I pyetur se a ka gjasa të jetë jashtë listës, pasi që nuk e kanë lajmëruar akoma, ai tha se “gjithçka është e mundur”.

“Ka gjasa… gjithçka është e mundur. Nuk kam hyrë unë në politikë për mbijetesë. Kam hyrë për të dhënë kontribut… unë kam besim se do të jem pjesë e lokomotivës së PDK-së për t’i çuan përpara objektivat që kemi dhe për ta rikthyer Kosovën ku e meriton”, deklaroi ai.

Ndërkohë, nesër (11 dhjetor) është afati i fundit që subjekti politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ta dorëzojë aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe listën me emrat e kandidatëve për deputet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat