Mbrojtja kërkon aktgjykim lirues për të akuzuarit në rastin “Toka”

Aktuale

Mbrojtja kërkon aktgjykim lirues për të akuzuarit në rastin “Toka”

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 09:16
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së martës ka përfunduar dhënia e fjalës përfundimtare nga palët në procedurë në rastin “Toka”. Të akuzuarit dhe mbrojtja i kërkuan Gjykatës të shpallë aktgjykim lirues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Lubisha Vujoviq, avokati Zhivojin Jokanoviq tha se të akuzuarit asnjëherë askund nuk janë takuar së bashku dhe as nuk kanë përgatitur ndonjë plan apo diçka tjetër.

Sipas Jokanoviq, nuk ka asnjë element të bashkëpunimit, andaj deklaroi se ka besim të plotë në trupin gjykues që do të marrë aktgjykim meritor për të mbrojturin e tij dhe të akuzuarit tjerë.

E i akuzuari Vujoviq ka mbështetur fjalën e avokatit të tij dhe tha para Gjykatës se arsyeja pse është mbajtur aq gjatë në paraburgim është vetëm një ‘dëshirë’ e prokurorit Danilo Cecarelli.

“Unë edhe sot nuk e di pse aq shumë më keni mbajtë në paraburgim, përveç asaj se kjo ishte vetëm një dëshirë e Danilo Cecarelli”, ka thënë Vujoviq.

Ai pohoi se nuk e njeh asnjë nga të akuzuarit dhe ka kërkuar nga Gjykata që të lirohet nga përgjegjësia penale.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Sabedin Haxhiu, avokati Tomë Gashi fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, të cilën e mbështeti i mbrojturi i tij.

Avokati Gashi deklaroi se për fjalën e tij përfundimtare ka angazhuar edhe ekspertë eminent të lëmisë civile dhe të çështjeve administrative.

“Gjithëçka që kemi thënë dhe kemi shkruar në fjalën përfundimtare, e keni të bashkëngjitur dhe shumë më lehtë mund t’iu ndihmojnë këto dokumente në rastin e nxjerrjes së aktgjykimit për të cilin besojmë që do jetë i drejtë dhe i ligjshëm”, ka thënë Gashi.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Avni Maxhuni, avokati Muhamet Humolli, tha se në tërësi e përkrahë mospranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit të tij, pasi sipas tij Maxhuni është i pafajshëm.

Kështu, edhe Humolli ka kërkuar që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm.

Kurse, i akuzuari Maxhuni, e mbështeti në tërësi fjalën përfundimtare të avokatit të tij dhe i kërkoi Gjykatës aktgjykim lirues.

Në anën tjetër, avokati Ragip Zeneli, mbrojtës i të akuzuarës Elheme Uka, në fjalën përfundimtare tha se asnjë nga të akuzuarit nuk e ka përmendur Ukën. E kjo e fundit e mbështeti fjalën e avokatit.

Gjithashtu, avokatja Xhevahire Kloopner, mbrojtëse e të akuzuarës Lumnije Sopjani, tha se askund nuk ka parë se ku e mbrojtura e saj ka ndikuar në krim të organizuar dhe se çfarë roli ka pasur në krim të organizuar.

Sipas saj, prokurori i EULEX-it ka trajtuar rastin me paragjykime “paushall” dhe të pavërtetuara për raportet që ka pasur e mbrojtura e saj me palët tjera. I kërkoi Gjykatës që ndaj të mbrojturës së saj të merret aktgjykim lirues.

Mbrojtësi i të akuzuarës Myrtene Brajshori, avokati Berat Tmava e dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe tha se pas analizmit të provave, Gjykata pa mëdyshje do të nxjerrë aktgjykim lirues për Brajshorin pasi s’ka prova që dëshmojnë se ajo ka kryer vepër penale.

Fjalën përfundimtare të avokatit e ka mbështetur e akuzuara Myrtene Brajshori.

Avokati Basri Morina, fjalën përfundimtare për të mbrojturin e tij Sami Maqedonci e ka dorëzuar me shkrim dhe gjatë elaborimit ka theksuar se Maqedonci me përjashtim të Shpresim Ukës të cilin e ka pasur epror në punë, askënd tjetër prej të akuzuarve në sallë nuk e njeh.

Ai ka shtuar se i mbrojturi i tij është tërësisht i pafajshëm dhe se nuk ka të bëjë asgjë me veprën penale që i vihet në barrë. Tha se beson që trupi gjykues nuk do të bazohet në deklaratat siç shprehet ai të rreme të Nazim Bllacës dhe do të sjellë një aktgjykim të drejtë dhe meritor.

“Prokuroria nuk ka arritur të bëjë as individualizimin e veprës penale të cilën ia vë në barrë padrejtësisht pa ofruar asnjë ditë, asnjë datë, asnjë orë e as vend…”, tha mes tjerash Morina.

Kjo fjalë përfundimtare nga Morina, është mbështetur nga ana e të akuzuarit Maqedonci.

Kurse, avokati Avni Koliqi, fjalën përfundimtare në lidhje me të mbrojturin e tij Ndue Palushi e ka dorëzuar me shkrim dhe njëjtë si kolegët e tij ka kërkuar aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.

Ndërkaq, avokati Sylejman Nuredini i propozoi Gjykatës që për të mbrojturin e tij Ramadan Mavraj të marrë akgjykim lirues.

Avokati Nuredini i propozoi Gjykatës të urdhërojë lirimin e pronave të njësive kadastrale me sipërfaqe prej 106 ari.

Në fund, mbrojtësi i Vidosav Novakoviq, avokati Fitim Malokaj fjalën përdundimtare e dorëzoi me shkrim dhe i kërkoi Gjykatës lirimin e të mbrojturit të tij.

Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura. Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive. Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat