Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në Kosovë ka “aktorë të huaj keqdashës aktivë që duan të minojnë demokracinë e Kosovës duke i shfrytëzuar përçarjet etnike”.
“Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”, ka thënë Hovenier të martën në Prishtinë.
Atij për këtë deklaratë i ka reaguar ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Mentor Llugaliu, përcjell Bota sot.
Ai ka kritikuar politikën e SHBA-së dhe të aktorëve të tjerë të jashtëm dhe të brendshëm që, sipas tij, kanë dëmtuar demokracinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Sipas tij, pos rrëzimit të Qeverisë Kurti I, për 20 vite, SHBA ka mbështetur një politikan që “nuk përfaqësonte vlerat demokratike”.
“Shumë e vërtetë Ambasador, në mesin e atyre jeni edhe ju Amerikanët.
- Në pikun e pandemisë COVID-19 e keni rrëzu një qeveri legjitime.
- Për 20 vite e keni mbështet politikisht fuqishëm një hajn e bandit, i cili kurgjë të përbashkët me demokracinë nuk ka pasë.
- Në kohën ma kritike për demokracinë e Kosovës në vend që ta mbështetni një pishtar të demokracisë si Ibrahim Rugova, keni zgjedhë ta mbështesni një pishtar të hajnisë dhe banditizmit si Hashim Thaçi.
- Në vend që ta përmbyllni shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës që është parakusht për demokracinë e saj, ju sot e kësaj dite ia jepni ndjenjën Serbisë që asgjë nuk ka përfundu sa i përket pretendimeve territoriale të saj kundër Kosovës.
Përveç aktorëve të huaj, përmendi edhe aktorët e brendshëm që e minojnë çdo ditë demokracinë e shtetësinë e Kosovës, shumicën e të cilëve ua njihni në detaje veprimtarinë kundër Kosovës, dhe natyrisht heshtni!”, ka shkruar Llugaliu në një postim në Facebook.